Kulturë E prekur nga koronavirusi, shuhet rusja e famshme Irina Antonova

E prekur nga koronavirusi, shuhet rusja e famshme Irina Antonova

Irina Antonova, një historiane karizmatike e artit që drejtoi një nga muzetë kryesorë të Rusisë për më shumë se gjysmë shekulli, ka vdekur në moshën 98 vjeç.

Muzeu Shtetëror i Artit Pushkin tha se Antonova u shua pasi infektua me koronavirus, gjë e cila përkeqësoi sëmundjen e saj kronike të zemrës.

Antonova filloi të punojë në Muzeun Pushkin pas diplomimit në 1945 dhe në 1961 u bë drejtues e tij. Ajo e mbajti këtë pozitë deri në vitin 2013, kur u transferua në detyrën ceremoniale të presidentes të atij institucioni kulturor. Mandati i saj 52-vjeçar e ka bërë atë drejtoreshën më jetëgjatë të një muzeu të madh të artit.

Si drejtore e Muzeut Pushkin, Antonova ngriti ekspozita të mëdha arti që përfshinin shkëmbime arti midis Muzeut Pushkin dhe koleksioneve kryesore artistike ndërkombëtare gjatë epokës së tensionit dhe konfrontimit të Luftës së Ftohtë. Këto shkëmbime, të organizuara falë kontakteve të saj të gjera personale me kolegë nga muzetë në të gjithë botën, i sollën asaj famë botërore.

Ajo ka qenë gjithashtu shumë aktive në promovimin e thesareve muzeale për publikun.

Antonova është fituese e çmimeve të shumta ruse dhe të huaja.

Presidenti rus Vladimir Putin i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti shpesh takohej me Antonovan në muze dhe se ai “vlerësonte shumë njohurinë e saj të thellë profesionale”.

Antonova do të varroset në Varrezat Novodevichy të Moskës. Ceremonitë që shënojnë vdekjen e saj do të jenë të mbyllura për publikun për shkak të kufizimeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, raporton Associated Press.