Bota Koreja e Jugut arrin rekordin, 800 raste me koronavirus brenda ditës

Koreja e Jugut arrin rekordin, 800 raste me koronavirus brenda ditës

Koreja e Jugut ka regjistruar rritjen më të madhe të përhapjes së koronavirusit brenda një dite të vetme, me 800 raste të reja të konfirmuara të premten. Deri më tani, numri i të infektuarve me virusin kinez në Korenë e Jugut ka arritur në 2.950 raste. Shtatëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën.

Koreja e Jugut ka numrin më të madh të rasteve të konfirmuara jashtë Kinës, e pasuar nga Italia me më shumë se 820 raste. Në vendin fqinj kanë humbur jetën 21 persona, ndërkohë që qeveria italiane ka vendosur mbylljen e shkollave edhe për shtatë ditë të tjera në të gjithë rajonin e Lombardisë.

Ndërkohë në Korenë e Jugut, ushtria ka rrethuar rajonin më të prekur ku ushtarët po dezinfektojnë pjesë të mëdha të qytetit. Shumica e rasteve të reja të Covid-19 janë shënuar në qytën Daegu, në jug-lindje të Koresë së Jugut.

Përhapja e virusit në Korenë e Jugut ka ardhur nga një grup i krishterë që kishte udhëtuar për në Kinë. Autoritetet besojnë se anëtarët u infektuan njëri-tjetrin gjatë një mbledhjeje në Daegu dhe më pas u kthyen secili në qytetin e tij, duke e përhapur virusin në të gjithë vendin.

Zyrtarët e Koresë së Jugut besojnë se një anëtare 61-vjeçare e këtij sekti, që javën e kaluar rezultoi pozitive, ishte ndër të parat që u infektua. Pacientja fillimisht nuk pranoi të transferohej në një spital për t’u testuar dhe mësohet se ka marrë pjesë në disa tubime në kisha para se t’i shfaqeshin simptomat.

Ndërkohë, në Korenë e Veriut, Kim Jong-un ka paralajmëruar “pasoja të rënda” nëse zyrtarët e vendit diktatorial nuk arrijnë të parandalojnë shpërthimin e epidemisë.