Bota E premte “e zezë” në Kinë, 86 persona humbën jetën në një...

E premte “e zezë” në Kinë, 86 persona humbën jetën në një ditë të vetme nga koronavirusi

E premtja ishte dita më “e zezë” që prej përhapjes së koronavirusit, pasi autoritetet raportuan se 86 persona kishin humbur jetën.

Deri të premten, 722 persona kanë humbur jetën në total nga virusi dhe 34546 persona raportohet se janë të infektuar, nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë. Numri më i madh i rasteve të reja është regjistruar në provincën e Hubeit dhe kryeqytetin e saj, Wuhan, epiqendrën e përhapjes së virusit që godet sistemin e frymëmarrjes.

Për të përballuar fluksin e madh të të infektuarve, autoritetet kineze përfunduan ndërtimin e një spitali të ri në Wuhan javën e kaluar, ndërsa një i dytë duhet të hapet në ditët në vijim.

Në pjesën tjetër të botës, virusi ka infektuar deri tani 320 persona në 27 shtete, me dy viktima të shënuara, një shtetas kinez në Filipine, dhe një 39-vjeçar në Hong Kong. Rastet më të fundit të personave të infektuar janë konfirmuar të shtunën në Malajzi, Tajvan dhe Japoni.