Bota E quajti “virusi kinez”, Trump: Nuk është racizëm, virusi vjen nga Kina

E quajti “virusi kinez”, Trump: Nuk është racizëm, virusi vjen nga Kina

Në konferencën për mediat të mbajtur si çdo ditë në Shtëpinë e Bardhë që prej shpalljes së pandemisë së koronavirusit, Presidenti Trump la të kuptohej se mund të ndërmerrte masa ndëshkuese kundër Kinës.

Më herët ai e ka quajtur koronavirusin e ri si “virusi kinez” në komunikimet e tij, diçka që mohoi të jetë një etiketim racist. Ai tha se po e përdorte termin, pasi Kina u përpoq të fajësonte Shtetet e Bashkuara duke thënë se virusin në Kinë e çuan ushtarët amerikanë.

“E quaj kështu sepse vjen nga Kina. Nuk është fare raciste, aspak. Vjen nga Kina, prandaj e quaj kështu. Dua të jem i saktë”, tha Trump. “Siç e dini Kina u përpoq të thoshte se u shkaktua nga ushtarët amerikanë. Kjo nuk mund të ndodhë, për sa kohë të jem unë President. Virusi vjen nga Kina”.

I pyetur nëse tema e sanksioneve është në diskutim, pasi ishte përmendur më parë nga senatori republikan Tom Cotton. “Nuk mund të them se e ka fajin Kina, por virusi vjen nga Kina. Askush nuk duhet ta vërë në dyshim këtë. Kam shumë respekt për senatorin Tom Cotton, shumë njerëz e kanë thënë këtë, por do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trump.