Aktualitet E shqetësonte zhurma, shqiptari i infektuar me Covid i fik respiratorin pacientit...

E shqetësonte zhurma, shqiptari i infektuar me Covid i fik respiratorin pacientit grek

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një spital të Athinës në Greqi, ku një pacient shqiptar i infektuar me Covid-19 i shkaktoi vdekjen një tjetër pacienti.

Sipas mediave greke që kanë publikuar të dhëna hetimore, 60-vjeçari me origjinë shqiptare i kishte fikur aparaturën e respiratorit pacientit 76-vjeçar që qëndronte pranë shtratit të tij, edhe ky i infektuar me koronavirus. Veprimin e tij, shqiptari e justifikoi duke thënë se respiratori bënte shumë zhurmë.

Për fat të keq, pacienti grek humbi jetën të shkaktuar nga mungesa e oksigjenit.

Mjekët e spitalit thonë se gjendja e pacientit 76-vjeçar ishte drejt përmirësimit, dhe mbetën të shokuar kur panë që kishte humbur jetën.

Më pas vunë re shenja të çuditshme te kabujt që lidhen me respiratorin. Ata lajmëruan menjëherë policinë. Sjellja e dyshimtë e shqiptarit, i cili nuk ishte në intubim, bëri që hetuesit të kuptonin çfarë kishte ndodhur.

Më pas vetë shqiptari pranoi faktin dhe ishte ankuar se viktima 76-vjeçar bënte zhurmë dhe donte të rrinte vetëm në pavion.

Kjo nuk është hera e parë që presioni i oksigjenit ndikon negativisht tek pacientët e prekur me Covid-19. Ashtu si në shumë vende të botës, por edhe në Shqipëri, pacientët jo rrallë herë janë ankuar për shkak të zhurmës që krijon pajisja e furnizimit me oksigjen. Ndërkohë studimi, i kryer së fundmi nga Universiteti i Oksfordit dhe botuar në revistën The Lancet Psychiatry, zbuloi se 34 për qind e pacientëve që u shëruan nga COVID-19 përjetuan çrregullime të shëndetit mendor dhe neurologjik.