Aktualitet E sulmoi me thikë, gruaja britanike i bën gjëmën shqiptarit të dënuar...

E sulmoi me thikë, gruaja britanike i bën gjëmën shqiptarit të dënuar për vrasje

Ardian Rragami u ekstradua për herë të parë nga Britania për në Shqipëri në vitin 2009 për t’u përballur me 15-vjet burg për vrasje, por u kthye përsëri në Britani pasi bëri vetëm 4 vite burg.

Duke u paraqitur si refugjat kosovar i quajtur ‘Ardian Gashi’, ai hyri për herë të parë në Britani duke u arratisur nga vendi, pasi kishte vrarë fqinjin në një lokal të Shkodër në vitin 1998.

Në vitin 2000, Rragami u dënua me 15-vjet burg në mungesë, por u ekstradua në Shqipëri në vitin 2009, ku ai shërbeu vetëm një pjesë të dënimit të tij.

Me rikthimin e tij në Britani të Madhe në vitin 2016, duke kaluar përsëri ilegalisht kufirin, Rragami u vendos në Wickford, Essex, ku u ribashkua me gruan e tij britanike, Chrysoulla Michaels dhe dy vajzat e tyre, tani 13 dhe 15 vjeç.

Ai u arrestua në Qershor po  të atij viti pasi një hetim të Daily Mail, ku zbuloi se ai ishte kthyer përsëri në Britani pas ekstradimit të tij.

47-vjeçari u lirua me kusht dhe iu vendos një byzylyk elektronik, deri në momentin që të plotësoheshin procedurat për një ekstradim të dytë.

Ai sipas nenit 8 të Ligjit për të Drejtat e Njeriut, ku një emigrant përballet me dëbim citon këtë ligj për të thënë se do të jetë pranë familjes.

Por Rragami është parë duke sulmuar me thikë gruan e tij në shtëpinë e tyre në Wickford. Mbesa e tij e filmoi Rragamin duke dhunuar zonjën Michaels, ndërsa ai ishte në gjendje të dehur, raporton “The Sun”.

Në Gjykatën e Basildonit ai u deklarua fajtor për sulm ndaj zonjës Michaels, pasi ai e kishte goditur duke i shkaktuar një të çarë në nofull me thikë kuzhine. Ai gjithashtu kishte sulmuar edhe fëmijët. Për dhunën e ushtruar në familje Rragami u dënua më 8-muaj burg. Nëse ai do të ishte burgosur me të paktën 12 muaj, shqiptari do të dëbohej automatikisht.

Zonja Michaels, ka shkuar tek Zyra e Emigracionit duke u lutur: “Ju lutem deportojeni atë tani“. 49-vjeçarja tha për “The Sun”: “Ardiani ka përdorur të drejtën për të qëndruar këtu se ka një familje, por ai nuk e ka më atë. Unë kam vuajtur shumë në të kaluarën, por derisa të deportohet, ai kurrë nuk do të ndalet. Jam shumë e frikësuar”.