Kryesore E vërteta e largimit të Halimit: Milionat dhe skandali me vajzën e...

E vërteta e largimit të Halimit: Milionat dhe skandali me vajzën e Vehbi Velisë

Të gjitha “hallet” e Eduard Halimit, përveç rajonit…

Nga Mero Baze

Eduard Halimi ka dorëzuar papritur mandatin e tij si deputet i PD, nën një arsyetim formal të një projekti privat për drejtësinë në rajon, të cilin mund të na e kishte kursyer. Karriera e Eduard Halimit është radiografia tipike e një juristi që i ngjitet politikës për përfitime personale dhe është gati të bëhet qesharakë për t’i shërbyer asaj. Ai nuk i përket racës politike të Partisë Demokratike, por atyre që i janë bashkuar asaj pas vitit 2005, për të marrë diçka më shumë nga profesioni me të cilin ishte bërë ndërkohë milioner.

Fillimisht ai është shfaqur në oborrin e PD-së në vitin 2003, kur PD e çoi si avokat në Apel dhe KQZ, për zgjedhjet lokalet. Ai ishte ndërkohë një avokat që ishte i përfshirë në biznese me toka, zyra private në vende të shtrenjta në Tiranë tek “Dy Kullat”, dhe lidhje me biznese që nuk ishin afër PD-së.

Në vitin 2005, PD i ofroi një vend si zëvendësministër Drejtësie, dhe atij ju desh të ristrukturonte bizneset e tij, duke shitur formalisht aksionet, dhe duke u përpjekur të rregullojë sa të mundte një deklaratë pasurie që nuk i rakordoi kurrë.

Ndërkohë që ishte zyrtar legal i shtetit, ai vazhdonte të mbante studion e tij të avokatisë në distancë, dhe u angazhua fort në një proces të gjatë dhe plotë hije, mes ish-biznesmenit Vehbi Veliaj dhe një huadhënësi të tij nga Kosova, Behxhet Pacolli, për çështjen e TV Alsat. Duke përdorur pushtetin e tij, ai arriti të shpëtojë çfarë mundi nga borxhi i pakthyer i Veliaj, por dhe të përjashtonte më pas nga trashëgimia juridike, një vajzë të tij që jetonte në Suedi.

Vajza e Vehbi Velisë arriti të marrë të drejtën vetëm disa javë më parë, pasi u ankua me emër pranë Komisionit të Vetingut, për gjyqtarët që kishin masakruar trashëgiminë e saj, përfshi dhe Eduard Halimin.

Halimi po ashtu kishte qenë më parë pronar i një toke pranë Liqenit të Tiranës, të cilën në vitin 2008 e ktheu Berisha në çështje politike, pasi pronësia ishte transferuar tek një biznesmen, ortak i Halimit, të cilit i kërkuan pjesë njerëz të Berishës. Kundërshtimi i tij për t’i dhënë pjesë formalisht njerëzve të Berishës, i kushtoi një arrestim për korrupsion dhe fakti që 20 për qind e tokës figuronte në emër të biznesmenit tjetër, Dritan Avllai, u përdor nga Berisha si akuzë kundër Edi Ramës.

Eduard Halimi u zhduk nga debati, pasi kishte dorëzuar gjithçka për “Familjen”. Kjo ju arshivua si shërbim për karrierën e mëpasme.

Pas vitit 2009 ai u bë deputet dhe ministër Drejtësie, falë lidhjeve që krijoi direkt me “Familjen” dhe autoritetit që vendosi mbi Hipotekën qëndrore, ku kishin plot “qoka” njerëzit e “Familjes”.

Ndërkohë, lidhjet e tij me biznesin e studios së avokatisë, të kthyer tashmë në seksere, nuk u shkëputën kurrë, dhe deklaratat e pasurisë së tij ishin gjithnjë një dhimbje koke, që nuk rakordonin.

Ai ishte njeriu që veproi pas skene për të mbyllur gjithë gjyqet e mundshme ndaj pushtetit, sidomos atij të “Rrugës së Kombit”, Fazlliçit, ku dilte e bija e kryeministrit, më pas 21 janarin etj. Ai u bë një kamikaz i betejës kundër prokurores së Përgjithshme Ina Rama, dhe një personazh qesharak që i vuri vulën Komisionit hetimor parlamentar për 21 janarin, kur pranonte dëshmitë banale të Berishës, për thika me helm nga gjarpërinjtë e Mashkullorës, çadra pistoletë dhe skenarë për grusht shteti.

Në parimin “qesh mire kush qesh i fundit”, ai nuk mërzitej për profilin e  tij banal në publik, as me fotot duke ngrënë supë në një tas me Dashamir Xhikën në krah, tashmë në burg, me shpresë së shërbimet do shpërbleheshin.

Pas vitit 2013, kur doli në opozitë, ai tentoi të ishte sërish shërbëtori i Bashës në betejat për drejtësi. Por në disa momente pati lëkundje. Në kulmin e refuzimit të opozitës për reformën në drejtësi, pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, ai papritur dha dorëheqje nga komisioni, me arsyetimin se “vuan nga një sëmundje e rëndë”. Në fakt, e vetmja gjë e rëndë që i kishte ndodhur, dukej se ishte mosbesimi i Bashës ndaj tij.

Edhe pse arriti ta tejkalonte këtë situatë dhe të merrte një mandat më 2017 prej Bashës, duket se ai nuk po ngjiste më si njeri i besuar i tij. Rangu i shërbëtorëve ishte ulur dhe më shumë. Duheshin edhe më banalë.

Në debatin publik, ai u zëvendësua nga shërbëtorë të tjerë dhe perspektiva brenda PD, nuk ishte në favor të tij.

Në këtë kohë shpërtheu dhe skandali i vajzës së Vehbi Velisë, që e denoncoi atë pranë Komisionit të Vetingut. Sipas kallëzimit të plotë, mes personave të kallëzuar është dhe ish-ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi.

Ndërkohë, një sërë dosjesh që kanë të bëjnë me ekstradime të dyshimta dhe favorizime grupesh kriminale, sidomos në Durrës, ku ai ishte deputet deri më 2017, i kanë krijuar atij një dosje të errët tek faktori ndërkombëtar që merret me hetimin e së shkuarës së drejtësisë shqiptare.

Largimi i tij nuk ka lidhje me projektet e tij personale për të ardhmen. Aq më pak me rajonin. I vetmi problem i tij është historia e shërbimeve në drejtësi për qëllime politike dhe shpesh në favor të krimit të organizuar.

Ai nuk gëzon besimin e Bashës, pasi Bashës i duhen pranë vetes njerëz më të sigurtë, më të kapur dhe me më shumë para.

Si një njeri që e di më mirë se ne, se çfarë ka bërë, ai u largua sot duke dorëzuar mandatin. Nuk ka bërë keq, pasi më e keqja për të dhe ata që kanë deformuar drejtësinë shqiptare, nuk ka ardhur. Për Luzlim Bashën, Astrit Veliaj, që mund ta zëvendësojë, është më i dobishëm se ai, pasi është më mirë financiarisht. Do ketë pak problem sa të paguajë dhe dy gratë që janë në radhë për të dhënë dorëheqje, por çështje parash është.

Kështu mund të kënaqen të gjithë. Eduard Halimi shpëton nga e shkuara dhe Veliaj garanton të ardhmen. Lulzim Basha po ashtu hedh një hap para në kapjen e PD nga oligarkë që blejnë mandate e shesin vende deputetësh. Larg qoftë mos jep dorëheqje dhe ajo gruaja që është e dyta  në Durrës, se dhe Agron Duka po e humbet qetësinë. Luli nuk mund t’i gënjejë të gjithë në çdo kohë.