Bota Ecuri pozitive e vaksinimit në SHBA, Fauci këshillon të mos hiqen kufizimet

Ecuri pozitive e vaksinimit në SHBA, Fauci këshillon të mos hiqen kufizimet

SHBA merr lajme të mira në luftën ndaj koronavirusit. Mbi 82 milionë doza të vaksinave anti-covid janë administruar deri më tani, sipas Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Jemi tani në rreth 2 milionë vaksinime në ditë. Kjo do të thotë se çdo ditë apo javë që kalon, kemi më shumë njerëz të mbrojtur”, deklaroi Anthony Fauci, këshilltari mjekësor i presidentit Biden.

Me ecurinë pozitive të vaksinimeve, më shumë shtete po heqin kufizimet. Guvernatori i Alabamës tha se nga prilli mbajtja e maskës nuk do të jetë me detyrim. Virologu i njohur amerikan, Anthony Fauci, kritikoi këtë qasje dhe kërkoi që masat të mos lehtësohen.

Edhe Teksasi pritet që të mos respektojë urdhrin për mbajtjen e maskës, një vendim të cilin presidenti Joe Biden e konsideron si gabim të madh.

“Kur do të jetë koha e duhur ekzaktësisht? Do të jetë kur çdokush të marrë një vaksinë? Apo kur Covid-19 të ketë mbaruar?”, u shpreh guvernatori i Teksasit, Greg Abbott.

Ekspertët shëndetësorë thonë se është thelbësore të pritet që më shumë njerëz të imunizohen dhe që numri i rasteve ditore të bjerë. Në të kundërt situata do të përshkallëzojë, siç ndodhi vitin e kaluar kur kufizimet u hoqën më herët seç duhej.

Numri total të infektuarve në Shtetet e Bashkuara është mbi 28.8 milionë, ndërsa mbi 520 mijë persona kanë humbur jetën që prej shpërthimit të pandemisë.