Kryesore Edi Rama: Fitorja më e vështirë ndonjëherë

Edi Rama: Fitorja më e vështirë ndonjëherë

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp në orën 21:00 të së dielës, ku deklaroi se “sot fitoi e ardhmja, fitoi shteti, forca e politikës, qytetaria dhe shpresa”.

Kreu i qeverisë shtoi se “30 Qershori që dukej sikur nuk do të vinte kurrë, po ikën paqësisht duke marrë me vete hijen e rrëmujës sociale dhe kaosit institucional”.

Rama falenderoi edhe ndërkombëtarët: “Shqipëria demokratike u lëkund, por nuk u rrëzua edhe falë mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë”.

“Pas pak hyn një ditë e re që vjen e ngarkuar me barrën e rëndë të kurimit të plagës që hija e marrëzisë përçarëse ka lënë pas. Kombi shqiptar si i tërë nuk e meritonte gjithë sa pa, dëgjoi e përjetoi, me muaj që dukeshin si vite në errësirën frikësuese të tërë gjysmës së sapoikur të vitit”, theksoi Rama.

Edi Rama: “Sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarje të rëndë politike, të frymëzuar nxitur dhe organizuar për të ndaluar ecjen tonë përpara.

Sot ishte dita e zgjedhjeve vendore të radhës, e cila u kthye muaj pas muaj në ditën kulmore të një përplasje historike mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes harbutërisë dhe qytetarisë, mes antishtetit dhe shtetit, mes pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë, mes dhunës kërcenuese dhe shpresës tek e nesërmja. Mes Shqipërisë se vjetër dhe Shqipërisë të drejtë që duam për të gjithë fëmijët e kësaj bote.

Sot fitoi e ardhmja, fitoi shteti, fitoi qytetaria, fitoi shpresa. Fitoi Shqipëria e nesërme evropiane. Humbi me turp Shqipëria e djeshme pa din e pa iman. Ishte një fitore e vështirë. Unë vetë nuk e mbaj mend më një të vështirë.

Luftoi vetë sistemi i brishtë demokratike me kundërshtarët e vetë zgjedhjeve.

Sot 30 qershori që dukej sikur nuk do vinte kurrë po ikën paqësisht për shqiptarët.

Një faleminderit të madhe këtu miqve dhe partnerëve të Shqipërisë demokratike, që u trondit dhe u lëkund. por nuk u rrëzua.

Faleminderit qeverisë së SHBA dhe përfaqësisë së saj në Tiranë. Faleminderit BE dhe delegacionit evropian në Shqipëri. Faleminderit misionit të OSBE dhe çdo kujt tjetër që dha një dorë në këtë betejë sa të rëndë aq edhe absurde. Jo vetëm faleminderit  por edhe shumë ndjesë për miqtë e huaj që u bënë objekt i sulmeve personale.

Pas pak hyn një ditë e re që e gjen Shqipërinë të çliruar nga makthi i tërë gjysmës së prapësht të këtij viti. Dita vjen e ngarkuar me barrën e rëndë të kurimit që hija përcarëse ka lënë pas.

Ky vend nuk e meritonte atë llum të zi që u hodhën në pasqyrat mediatike të botës.

Qytetarët shqiptare sot e bënë të tyren. Ata folën si s’ka më qartë e si s’ka më bukur, qoftë duke shkuar të votojnë, ose qoftë duke mos shkuar të votojnë. Ata folën me paqen.

U krye për bukuri me një llaf, ajo çka dukej si rruga pa krye. Pas pak fillon një ditë e re, fillon dita dhe koha kur ne përfaqësuesit e vullnetit të shqiptarëve të bëjmë tonë. Në radhë të parë duke u përulur para popullit, duke reflektuar përpara pasqyrës së qeverisjes sonë.

Dua ta jem i qartë për të gjithë, qysh sot, ne nuk fituam ndonjë betejë, por fituam përgjithmonë luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve.