Aktualitet Edi Rama niset drejt Libanit dhe jep detaje për kthimin e shqiptarëve...

Edi Rama niset drejt Libanit dhe jep detaje për kthimin e shqiptarëve nga Siria

Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje shtesë mbi operacionin për riatdhesimin e fëmijëve shqiptarë nga kampi “Al-Hol” në Siri. Me një shënim në faqen zyrtare në “Facebook”, shefi i mazhorancës thotë nëse gjithçka shkon sipas planit, katër fëmijët e evakuuar do të mbërrijnë nesër në Shqipëri.

Ai thekson se ky operacion është bërë falë përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike, të cilat siç thotë Rama kanë zgjatur më shumë se një vit. Kryeministri Rama, i cili është nisur drejt Libanit, thekson se operacioni humanitar do të vijojë deri në kthimin e pjesës tjetër.

“Një hap nga finalizimi i fazës së parë operacionit kompleks për nxjerrjen e fëmijëve shqiptarë nga ferri i kampeve të Sirisë, pas një përpjekjeje diplomatike prej më shumë se një viti tanimë. Nëse me ndihmën e Zotit gjithçka do të shkojë sipas planit, nesër do të kthejmë në atdhe katër fëmijë dhe do të hapim rrugën për finalizimin e fazës së dytë, ku do të kthejmë edhe pjesën tjetër”, shkruan Rama.

Këtë operacion humanitar e ka përshëndetur edhe presidenca shqiptare, e cila bën apel, që të vijojë puna për rikthimin sa më parë të shqiptarëve në shtëpitë e tyre.