Kryesore Edmond Budina: Më habiti këmbëngulja e ISHP-së për të më testuar, infektimi...

Edmond Budina: Më habiti këmbëngulja e ISHP-së për të më testuar, infektimi e ka zanafillën në QSUT

Aktori Edmond Budina ka reaguar pas lajmit se ai ishte pozitiv me COVID-19. Ai shprehet se nuk ka asnjë shenjë të këtij infeksioni, megjithatë nuk përjashton mundësinë të jetë asimptomatik dhe të jetë infektuar në QSUT.

Por sipas Budinës, ajo që është më shumë shqetësuese është fakti se ISHP nuk ka ruajtur anonimatin e të testuarve, në rastin konkret të tij dhe të Robert Budinës, pavarësisht kërkesës drejtuar mjekes së ISHP-së, Silva Bino, për të mos u bërë publikë emrat.

Aktori thotë se akoma më i rëndë është fakti që publikimin e emrave e bëri kryeministri Rama, një veprim që përbën shkelje të hapur të të drejtave të njeriut. Për këtë, Budina thotë se do të ndjekë rrugën ligjore.

Një nga zërat më të fortë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar që në krye të herës, Budina thotë se e gjithë kjo histori ka vetëm një shpjegim. “Kjo qeveri, tashmë e ndërgjegjësuar dhe e frikësuar për krimin monstruoz, që ka kryer me shembjen e Teatrit Kombëtar, kërkon të frikësojë njerëzit dhe t’i ndalojë ata të protestojnë”, shprehet ai.

REAGIMI I EDMOND BUDINËS

Së pari dua të siguroj gjithë miqtë, shokët, të afërmit e simpatizantët, që më kanë bombarduar me mesazhe e telefonata, se gëzoj shëndet të plotë. Nuk kam as edhe një prej shenjave tipike të Covid-19, gjithsesi nuk kam të drejtë të paragjykoj rezultatin e testit, sepse mund të jem edhe bartës pa asnjë shenjë. Ajo që më bën të dyshoj, është fakti i këmbënguljes nga ana e Institutit të Shëndetit Publik, për të bërë testin edhe pse nuk kisha shenja të dukshme, ndërkohë, që të tjerë persona pranë nesh, edhe pse me shenja të dukshme (temperaturë të lartë) që kërkonin të bënin testin, ju refuzohej me justifikime nga më të ndryshmet. Ata të gjithë, më pas, kanë dalë negativë. Përmes të afërmish të përbashkët i kam dërguar fjalë dr. Silva Binos, që pavarësisht prej rezultatit të testit, negativ ose pozitiv, emri im dhe i Bertit të mos bëhej publik. Më garantuan që jo. Testin e kam bërë dje rreth orës 18.40. Sot në orën 08:51 më telefonojnë për të më pohuar se unë e Berti jemi pozitivë. Pa kaluar as edhe një orë të gjitha mediat shpërndanë lajmin e infektimit tonë. Më e rënda është, që edhe Kryeministri Edi Rama, që duhet të jetë i pari në respektimin e Kushtetutës së vendit që drejton, bëri publikë emrat tanë. Ai ka detyrimin që publikisht të informojë opinionin se prej kujt e ka marrë lajmin. Prej institucioneve apo medias. Këtë çështje, unë do ta ndjek në rrugë ligjore, sepse ka të bëjë me shkeljen e të drejtave e lirive të njeriut. Refuzoj në mënyrë kategorike hipokrizinë e atë keqardhje të shtirur, që gjoja i vjen keq e na uron shërim të shpejtë. Së pari, do ta besoja po të qe bërë privatisht. Së dyti, infektimi edhe nëse është i vërtetë e ka zanafillën në QSUT, ku halla jonë ishte e shtruar e për këtë fajin e ka kjo qeveri me këtë kryeministër. Së treti, dua të kujtoj 17 majin kur u dha urdhëri e filloi shembja e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që njerëzit ishin ende brenda, mes tyre edhe im vëlla, Roberti. Ju tentuat t’i vrisnit e sot paturpësisht, thoni se Ju vjen keq e na uroni shërim të shpejtë! Pasi u përpoqët të na përçani me lloj-lloj intrigash e shpifjesh, tani kërkoni të na izoloni me histori sëmundjesh. Përpara se të kërkoni respektimin e rregullave dhe ligjeve nga qytetarët, zbatojini vetë i pari. E gjithë kjo ka vetëm një shpjegim; kjo qeveri, tashmë e ndërgjegjësuar dhe e frikësuar për krimin monstruoz, që ka kryer me shembjen e Teatrit Kombëtar, kërkon të frikësojë njerëzit dhe t’i ndalojë ata të protestojnë. Mbështetja për kauzën e teatrit sa vjen e rritet. Pakënaqësia ndaj kësaj qeverisjeje, ku interesat e një grushti njerëzish të lidhur me mafien, janë mbi interesat kombëtare, është në vlim. Prandaj të gjithë kundërshtarë e opozitarë të këtij sekti duhet të bëhemi bashkë. Ne nuk e ulim kokën. Është koha për të reaguar e protestuar.