Bota Efekti i vaksinimit: Në Britani vetëm një i vdekur në 24 orët...

Efekti i vaksinimit: Në Britani vetëm një i vdekur në 24 orët e fundit

Vetëm një vdekje nga Covid-19 në Britaninë e Madhe. Një rekord pozitiv që tregon efektin e fushatës së vaksinimit në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria britanike ka raportuar 1.649 raste të reja, 22 më pak se dje.

Mbretëria e Bashkuar vazhdon garën e saj në fushatën e vaksinimit dhe tejkalon momentin historik të 50 milionë dozave të administruara.

Kryeministri Boris Johnson dhe qeveria e tij synojnë vaksinimin e të gjithë të rriturve mbi 18 vjeç që banojnë në vend me të paktën një dozë deri më 31 korrik.

Ndërkohë, Danimarka ka vendosur të përjashtojë vaksinën Johnson & Johnson nga programi i vaksinimit Covid-19, duke e arsyetuar vendimin e saj me shqetësime rreth efekteve anësore serioze në lidhje me formimin e mpiksjes së gjakut.

“Autoriteti Shëndetësor danez arriti në përfundimin se përfitimet e përdorimit të vaksinës Johnson & Johnson Covid-19 nuk tejkalojnë rrezikun e shkaktimit të efektit të mundshëm të pafavorshëm tek ata që marrin vaksinën”, theksoi autoriteti shëndetësor danez në një deklaratë.

OBSH dhe EMA e kanë autorizuar të dyja vaksinën Johnson & Johnson.