Ekonomi Efiçenca e energjisë, lëshohet certifikata e parë e performancës së energjisë për...

Efiçenca e energjisë, lëshohet certifikata e parë e performancës së energjisë për ndërtesat

Agjencia për Efiçencën e Energjisë ka lëshuar certifikatën e parë të performancës së energjisë për ndërtesat. Një risi në Shqipëri e cila vjen si rezultat i punës së bërë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me AEE, duke shënuar kështu një standard europian i cili do të shtrihet edhe më tej.

Referuar ndryshimeve ligjore, certifikata e performacës së energjisë për ndërtesat është një element që shërben për të treguar konsumin e energjisë së ndërtesës dhe efiçencën e saj energjetike. Certifikata shoqërohet edhe me raportin e përgatitur nga audituesit e energjisë ku përmes saj qytetarët do të mund të kenë informacion të plot mbi konsumin e energjisë së banesës ku ata jetojnë, si dhe do të mund të marrin rekomandime për mënyrën se si të përmirësojnë performancën energjetike të ndërtesës, duke ulur konsumin e energjisë.

Sipas kuadrit ligjor të miratuar, të gjitha ndërtesat të cilat aplikojnë për leje ndërtimi, ato që shiten apo jepen me qera, duhet të pajisen me certifikatën e performances së energjisë. Ndërtesat e reja në fazë projektimi që aplikojnë për leje ndërtimi duhet të kenë minimalisht klasin energjetik B.

Pak muaj më parë, Agjencia për Efiçencën e Energjisë nisi krijimin e trupës së audituesve të energjisë, e cila do të ketë si detyrë auditimin dhe certifikimin e të gjitha godinave shtetërore apo private dhe pajisjen e tyre me certifikatë energjie.