Aktualitet Ekstradohet në Itali “mbreti” shqiptar i trafikut të kokainës

Ekstradohet në Itali “mbreti” shqiptar i trafikut të kokainës

Autoritetet shqiptare kanë bërë ekstradimin në Itali të shtetasit Dorian Petoku, i arrestuar më 30 janar të vitit 2019 në Tiranë. Ai u arrestua në kuadër të operacionit të përbashkët me autoritetet italiane të koduar “Brasile low cost”.

“Dorian Petoku nuk është vetëm një trafikant droge, ai është një mbret i trafikut evropian të drogës dhe është një nga figurat më të spikatura të mafies shqiptare, e cila ka përmbytur Romën me kokainë, marijuanë dhe armë”, shkruajnë mediat italiane.

33-vjeçari akuzohet se është pjesë e një grupi që kishte tentuar të trafikonte 7 ton kokainë nga Brazili në Itali, por autoriteteve në Romë u kishte shpëtuar, ndërsa tashmë do të përballet me veprat penale. Në Itali për këtë dosje janë disa të arrestuar, mes të cilëve Silvano Mandolesi, Marcello Sciaffini, Salvatore Casamonica dhe malazezi Tomislav Pavloviç.