Aktualitet Ekstradohet nga Danimarka vrasësi i Nardit të bujtinave

Ekstradohet nga Danimarka vrasësi i Nardit të bujtinave

Në foto Nard Polia, i ekzekutuar me armë më 20 Mars

Autori i dyshuar i vrasjes së Nard Polisë është vënë në pranga. 27-vjeçari Kristan Sulaj alias Kristian Martini u arrestua në Kopenhagen të Danimarkës dhe u ekstradua drejt vendit tonë.

“Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Kopenhagen/Danimarkë, i shtetasit shqiptar K. S., 27 vjeç, banues në Shkodër. Shtetasi K. S. alias K. M. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, më datë 27.03.2019, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje, në bashkëpunim“, thotë policia në një njoftim për mediat.

Ferdinand Polia, i njohur ndryshe si ‘Nardi i Bujtinave’ u ekzekutua me breshëri plumbash pasditen e 20 Marsit, në fshatin Grudë të Shkodrës. Polia ndodhej në makinën e tij kur u qëllua për vdekje. Në trupin e 35-vjeçarit, i cili ishte pronar i një bujtine në Theth, u gjetën të paktën 18 plumba.

27-vjeçari Kristian Sulaj dyshohet se ishte ekzekutori i 35-vjeçarit dhe ishte larguar nga Shqipëria sapo kishte kryer krimin

Po për të njëjtën ngjarje në pranga përfunduan edhe 3 persona të tjerë, si bashkëpunëtorë në krim. Gilbert Toma, Kleandro Toma dhe Alfred Martini u arrestuan një ditë pas krimit. Sipas policisë, këta persona kishin mbështetur me logjistikë dhe armatim, si dhe kishin organizuar vrasjen e Polisë pasditen e 20 Marsit.