Bota Ekstremisti britanik pro-Brexit kandidon për në PE

Ekstremisti britanik pro-Brexit kandidon për në PE

Një nga aktivistët më të përfolur të së djathtës ekstreme në Britani, mbështetës i zjarrtë i Brexit, ka njoftuar se do të kandidojë për në parlamentin europian.

“Ata po na qeshin. Tereza Mej, Xheremi Korbin, burokratët e BE-së. 17.4 milionë britanikë votuan për Brexit, por ata s’duan t’ia dinë për njerëz si ne. U përpoqën të na mbyllin gojën dhe na morën të drejtat demokratike duke tradhtuar Brexit. Ne do t’ua kthejmë duke luftuar në zgjedhjet e 23 majit. Më fusni brenda BE-së dhe kanë për ta parë. Do t’i marrë malli për ditët kur kishin vetëm Nigel Farage”, thotë ai në faqen e tij, duke shtuar se pavarësisht të mirave që ka bërë Farage, mbetet një milioner që e sheh me përçmim shtresën e mesme të Britanisë.

Robinson ka themeluar dhe drejtuar EDL, Lidhjen e Mbrojtjes Angleze, me të cilën ka ndërmarrë veprimtari që janë kritikuar shpesh si diskriminuese kundër emigrantëve, aq sa llogaritë e tij në rrjete sociale janë mbyllur jo pak herë.

Në vitin 2017 u arrestua sepse theu urdhrin e gjykatës dhe transmetoi drejtpërsëdrejti pamje nga gjyqi, për të treguar fytyrat e disa të dyshuarve për përdhunim. Arrestimi i tij solli protesta të shumta, që kërkonin lirimin e tij, dhe disa përfunduan me përplasje të dhunshme me policinë.