Aktualitet Ekuador–Shqipëri–Pire/ Rruga e re që po përdor mafia shqiptare

Ekuador–Shqipëri–Pire/ Rruga e re që po përdor mafia shqiptare

Fundi i përkohshëm i “thrillerit” të ndjekjes në ujërat e Egjeut të një grupi trafikantësh droge ishte të hënën kur forcat e Rojës Bregdetare gjetën një sasi të madhe droge të fshehur në ishullin e Piperit në afërsi të bregut të Alonissos. Sipas burimeve zyrtare bëhet fjalë për rreth një ton kanabis i ndarë në 103 pako.

Bëhet fjalë për operacionin që nisi të mërkurën në afërsi të ishullit të Lesbos ku forcat detare greke u vunë në ndjekje të një motoskafi të fuqishëm i cili kishte hyrë nga ujërat turke. Në gomonen e parë u arrestuan 2 shqiptarë ndërsa një person i tretë kishte dokumente italiane. Gjithsesi dyshohet se që të tre janë me nënshtetësi shqiptare.

Që në atë moment u mësua se bëhej fjalë edhe për një gomone të dytë e cila mundi tu shpëtojë forcave të policisë.

Motoskafi i parë që u kap ishte nisur nga Shqipëria dhe sipas informacioneve kishte dorëzuar një sasi të madhe kanabis në brigjet turke ku do të mbushej me heroinë. Hetimet vijuan pa ndërprerje deri në gjetjen edhe të gomones së dytë. Në bordin e saj u gjet një tjetër shqiptar i cili u arrestua. Ai ia kishte dalë ta fshihet drogën në një prej plazheve dhe më pas kishte tentuar të kthehej në Shqipëri, por ishte pikasur nga autoritetet greke dhe u ndalua.

“Kërkuam duke lëvizur çdo gur. Kishim informacione të sakta se droga ishte fshehur” – i tha Zougla.gr një agjent i policisë që ishte në dijeni të ngjarjeve.

Vlen të përmendet se plani fillestar i autoriteteve greke ishte të ndiqnin rrugët e drogës nga Turqia në Greqi në mënyrë që ata të mund të lokalizonin edhe rrugët që përshkruheshin. Kjo nuk u bë dot menjëherë e mundur. Ishin fillimisht autoritetet turke që vunë alarmin duke njoftuar homologët grekë.

Por çështja nuk mbyllet me kaq. E kundërta. Tashmë po punohet për identifikimin e të gjithë rrjetit i cili duket se shtrihet deri në Itali. Autoritetet italiane nuk kanë hapur ende një hetim për këtë çështje pasi pritet që të informohen nga hetuesit grekë.

Banane dhe kokaine nga “Kuito”

Por nuk është vetëm linja e trafikut Shqipëri–Turqi–Greqi që trafikantët e drogës po ndjekin kohët e fundit për të transportuar sasitë e mëdha të drogës. Sipas burimeve nga policia greke një ton kanabis nuk është një sasi e vogël, por ajo që “i ka bërë me dhimbje koke” është linja Ekuador–Shqipëri–Pire–Shqipëri.

Vetëm 48 orë më parë një tjetër kartel shqiptar u godit duke u sekuestruar 137 kg kokainë në portin e Durrësit. Interesant është fakti se operacioni i veçantë, i koduar “Kuito” (nga kryeqyteti i Ekuadorit), u krye nga Autoritetet Shqiptare në bashkëpunim me Autoritetet Greke dhe zyrën e DEA-s amerikane në Athinë.

Ashtu siç u zbulua më vonë, kokaina ishte ngarkuar në një anije në Ekuador, bëri një ndalesë në Pire dhe destinacioni ishte porti i Durrësit. Burime të policisë konfirmuan se nga sekuestrimet e kohëve të fundit në portin e Pireut janë gjetur 500 kilogram kokainë që vinte nga Ekuadori. Duket se kartelet latino-amerikane kanë gjetur një rrugë të re të trafikut të kokainës në bashkëpunim me mafian shqiptare.

Lidhjet e mafias shqiptare me atë italiane kalojnë nga Greqia

Në të njëjtën mënyrë autoritetet italiane nënvizojnë në raportet e tyre se Adriatiku është në mënyrë konstante beteja e mafias shqiptare që kërkon të bëhet organizata e katërt më e fuqishme në vendin fqinj. Javën e kaluar një prokuror italian në një intervistë për mediat vendase foli për një linjë të re të trafikut të drogës, Shqipëri – Pulia – Greqi. Siç është thënë shpesh, “Sacra Corona Unita” përdor gjithmonë e më shumë këtë linjë për trafikun e drogës.

Mësohet se në qendër të trafikut të kohëve të fundit që lidhet me Ekuadorin qëndron një shtetas grek i cili deri pak kohë më parë ishte i panjohur më autoritetet e zbatimit të ligjit. Sipas të njëjtave burime, ai është një importues i madh i frutave ekzotike dhe mban sasi të mëdha bananesh në Maltë të sjella nga Ekuadrori.

Megjithëse Greqia është një vend tranzit për kartelet ndërkombëtare të drogës, vendndodhja e saj gjeografike po e bën gjithnjë e më shumë atë të rëndësishme për kalimin e drogës në vende të tjera. / Zougla.gr/lapsi