Aktualitet Ekzekutimi i avokatit, makina e vrasësve e vjedhur para 3 muajsh

Ekzekutimi i avokatit, makina e vrasësve e vjedhur para 3 muajsh

Grupi hetimor po mbledh prova për ekzekutimin e avokatit që tronditi Elbasanin mbrëmjen e së premtes. Burime hetimore kanë thënë për tvklan.al se makina që u gjet e djegur në fshatin Bradashesh rezulton të jetë e vjedhur në Dhjetor të vitit 2018.

Ky automjet dyshohet se është përdorur nga atentatorët e avokatit Ravik Gurra, të cilët pas ekzekutimit kanë përdorur këtë automjet tip Benz për të dalë nga qyteti i Elbasanit.

Foto: Makina e gjetur e djegur në Bradashesh

Të njëjtat burime hetimore sqarojnë se makina Benz me targa AA 934 HU është vjedhur në Fushë-Krujë para tre muajve.

Pronari i mjetit e ka denoncuar në polici si të vjedhur.

Avokati i fisit Çapja dhe i Emiljano Shullazit u vra dje me 2 plumba në kokë nga një person i pamaskuar.

Avokati ka qenë në një lokal në zonën e Kalasë së bashku me dy miq të tij.

Autori u afrua dhe e qëlloi në një distancë të afërt me pistoletë të kalibrit të vogël me silenciator.