Kryesore Ekzekutimi i trefishtë në Elbasan, Hoxha: Autorët nuk bënë asnjë gabim, kemi...

Ekzekutimi i trefishtë në Elbasan, Hoxha: Autorët nuk bënë asnjë gabim, kemi të bëjmë me vrasës të sprovuar

Gazetari Artan Hoxha ka treguar detaje të reja sa i takon ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Elbasanit ku mbetën të vrarë tre persona.

Në studion e “Report Tv”, Hoxha u shpreh se autorët kanë ndjekur me saktësi lëvizjet e viktimave, i kanë pritur, dhe zgjodhën pozicionin më të mirë për të goditur, pasi është errësirë.

“Autorët kanë ndjekur me saktësi lëvizjet e viktimave, i kanë parë, i kanë pritur të darkojnë, në kthim zgjodhën pozicionin më të mirë për të goditur, pasi është errësirë.

Elbasani për shkak të ngjarjeve të dy viteve të fundit ka postblloqe fikse. Autorët zgjodhën një zonë jashtë perimerit të postbllokut për të goditur. Largimi i tyre dyshohet se është bërë drejt Peqinit. Ata mund të hynin në Tiranë, mund të kalonin drejt Elbasanit, ose mund të kenë ikur drejt Peqinit, pasi ka më pak kontroll dhe kur del në Rrogozhinë ka më shumë mundësi largimi.

Autorët e kanë studiuar më së miri vendin. Për fatin e mirë viktimat nuk janë futur në tre makina, pasi ishin edhe familjarët. Makina është e masakruar nga breshëria e plumbave. Po të shikosh plumbat janë horizontal, është masive si në rastin e Edison Haizajt. Nuk ka pasur pikë mëshire. Nuk e di nëse është gjetur armë në makinën e viktimave. Pjesa kryesore e goditjeve janë drejt shoferit për ta neutralizuar. Autorët kanë qenë të saktë”, tha Hoxha.

Sipas gazetarit mënyra sesi autorët kanë vepruar tregon se kemi të bëjmë me vrasës të sprovuar.

“Kjo tregon se kemi të bëjmë me vrasës të sprovuar. Nëse e shikoni autorët nuk i kanë djegur makinat, gjë që e bën më të vështirë identifikimin.

Nëse ngjarja do të kishte ndodhur ditën policia do të ngrinte helikopterin, por ata që disponojmë ne nuk janë në gjendje të kryejnë misione natën. Deri tani kjo tregon se ata nuk kanë bërë asnjë gabim.

Edhe policia nuk është e qartë se me cfarë të kemi të bëjmë, sa mjete dhe sa persona kanë qenë. Të organizosh gjithë këtë sipërmarrje ka kosto të madhe, nuk mund të behet me hakmarrje të thjeshtë. Kjo është natyrë tjetër krimi.

Mënyrë si ndodhi tentativa e rrëmbimit dhe ngjarja e djeshme dëshmojnë se kemi të bëjmë me grupe të mirëorganizuara”, theksoi Hoxha.