Bota Ekzekutimi mafioz në Greqi, vritet në mes të ditës një prej bosëve...

Ekzekutimi mafioz në Greqi, vritet në mes të ditës një prej bosëve të mafias greke

Një ekzekutim brutal me karakteristika mafioze ka ndodhur pasditen e së enjtes në Chalandri në periferi të Athinës, ku u vra Giorgos Moschouris, i njohur nga autoritetet si një nga personazhet kryesorë të të ashtuquajturës “Mafia Greke”.

Moschouris, i njohur me pseudonimin “Thamnakias”, sapo kishte dalë nga një qendër private diagnostike, kur persona të panjohur, të cilët udhëtonin me një automjet, i janë afruar dhe e kanë qëlluar me kallashnikov.

Ai u qëllua disa herë, disa prej plumbave goditën fytyrën e tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në vendin e ngjarjes u gjetën shumë gëzhoja, ndërsa pak kohë më vonë, në zonën e Patimës së Çalandrit, u gjet një automjet i djegur.

Dyshohet se ky mund të ketë qenë automjeti i autorëve të arratisur.

Policia po shqyrton mundësinë e larjes së hesapeve brenda krimit të organizuar, pasi Moschouris i kishte mbijetuar një atentat të ngjashëm në vitin 2020 në Voula, jashtë një pastiçerie të njohur.

Zona e ngjarjes ka mbetur e rrethuar, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve janë në vazhdim.

Policia greke po mbledh pamje nga kamerat e sigurisë dhe po interviston dëshmitarët për të rindërtuar rrugën e arratisjes së autorëve.