Aktualitet Ekzekutimi në lokal që tronditi ish-Bllokun: Për çfarë akuzohet i shumëkërkuari i...

Ekzekutimi në lokal që tronditi ish-Bllokun: Për çfarë akuzohet i shumëkërkuari i policisë, Jani Alia

Jani Alia është i dënuari me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, emri dhe fotografia e të cilit u publikua sot nga Policia e Shtetit si një nga personat e shumë kërkuar të drejtësisë, objekt i punës së Njësisë së Kërkimit.

Por cila është ngjarja për të cilën ai akuzohet?

VRASJA NË ISH-BLLOK

Jani Alia është emri më i njohur në listën e personave që cilësohen si më të rrezikshmit nga Qarku i Gjirokastrës dhe që janë ende në kërkim. 41-vjeçari është dënuar në maj të vitit 2018 për vrasjen e Elton Çiçës në zonën e ish-Bllokut. Çiça dhe Alia, të dy nga Tepelena, kishin një histori të gjatë konfliktesh mes tyre që dyshohet se kishin si zanafillë prishjen e pazareve të drogës mes dy grupeve të tyre. Ndërsa një tjetër pistë ishte se Alia i ka vrarë Çiçës shokun e fëmijërisë dhe kjo u bë shkak për nisjen e një serie vrasjes dhe atentatesh.

Ngjarja që dyshohet për nisjen e konfliktit mes dy tepelenasve është vrasja e E. Ballazhiut nga Jani Alia, i cili e goditi 20-vjeçarin me thikë. Ngjara ndodhi në vitin 2000 në Greqi dhe viktima ishte bashkëmoshatar dhe shok fëmijërie i Elton Çicës. Alia dhe Çica u përballën në një burg të Greqisë, pasi ishin arrestuar për drogë, ku ky i fundit tentoi të hakmerrej për shokun e tij, duke e goditur Alian me thikë. Pas daljes nga burgu, ata nisin atentatet ndaj njëri-tjetrit në Shqipëri.

Në janar 2016, Alias iu bë atentat, por ai u shpëtoi plumbave, ndërsa mbeti i plagosur një kalimtar rasti. Më 25 prill 2016, Alia u qëllua përsëri, ku këtë herë mori plumb në dorë. Vetëm një javë pas kësaj, Çiça u vra në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Hetuesit arritën të identifikojnë Alian si autor përmes bishtit të një cigareje, pasi në kokë mbante kapele dhe nuk identifikohej nga kamerat e sigurisë.