Aktualitet Ekzekutimi në Shkodër/ Policia identifikon autorët e dyshuar, zbulohet motivi

Ekzekutimi në Shkodër/ Policia identifikon autorët e dyshuar, zbulohet motivi

Një 46-vjeçar u ekzekutua me breshëri kallashnikovi paraditen e sotme në zonën e Dajçit në Shkodër. Mësohet se viktima, Ridvan Hyseni është person me precedentë penalë dhe dyshohet të jetë autor i disa ngjarjeve të rënda të ndodhura që prej viteve 2008-2009.

Policia tha se 46-vjeçari ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij kur është qëlluar nga dy persona. Autorët janë larguar me motor nga vendi i ngjarjes.

Edhe pse në zonë ka pasur kamera sigurie, burime të policisë thanë se ato nuk kanë funksionuar në momentin e ngjarjes dhe nuk është regjistruar asgjë.

Ridvan Hyseni është gjetur pa shenja jete në një makinë BMW pranë një karburanti në fshatin Mushan.

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se janë zbuluar autorët e vrasjes së Ridvan Hysenit. Dyshimet e uniformave blu janë se pavarësisht të kaluarës së viktimës ekzekutimi i tij ka ardhur pas një konflikti të çastit.

Sipas policisë “nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Autorët e dyshuar gjatë paradites ishin konfliktuar me djalin e Ritvan Ramazanit dhe më pas dyshohet se ky shtetas ka ndërhyrë për të sqaruar situatën dhe për pasojë ka mbetur i vrarë me armë zjarri”.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorit. Ndërkohë në ndihmë të Policisë lokale janë nisur forcat e FNSh Shkodër dhe forcat Speciale Renea.