Bota Ekzekutohet në derë të shtëpisë bosi i familjes mafioze Gambino

Ekzekutohet në derë të shtëpisë bosi i familjes mafioze Gambino

Bosi i familjes mafioze Gambino, Francesco Cali, i njohur me nofkën “Franky Boy”, është ekzekutuar mbrëmjen e të mërkurës pranë shtëpisë së tij në Staten Island, New York, në një vrasje që kujton kohët e errëta të luftës së mafias në qytet.

Mediat amerikane raportojnë se 53-vjeçari u vra para derës së shtëpisë në lagjen luksoze Todt Hill rreth orës 9:20 të mbrëmjes, ndërsa gruaja dhe fëmijët ishin brenda në banesë.

Francesco Cali

Vrasësi mësohet se është larguar me një kamionçinë blu.

Cali është i pari bos i mafias që vritet në New York prej vitit 1985, kur John Gotti urdhëroi ekzekutimin e bosit të atëhershëm të familjes Gambino, Paul Castellano.

Hetuesit e FBI-së po hetojnë nëse vrasja ishte e miratuar nga komisioni i pesë familjeve mafioze të qytetit apo ishte veprim i një njeriu të vetëm.

I lindur në Siçili, Cali u bë bosi i familjes Gambino në vitin 2015 dhe konsiderohej si një “Padrino” i shkollës së vjetër, pasi shihej rrallë në publik dhe nuk binte shumë në sy.

Ai futi “gjak të ri” nga Italia në familje dhe u përqendrua në tregun e heroinës.