Bota Ekzili luksoz i ish-mbretit të Spanjës, fle në suitën që kushton 11...

Ekzili luksoz i ish-mbretit të Spanjës, fle në suitën që kushton 11 mijë euro në natë

Një avion privat është nisur nga Spanja me ish-mbretin spanjoll Juan Carlos, katër truproja dhe një bashkëpunëtor në bord. Destinacioni: Abu Dhabi. Ish-monarku, i cili u largua nga Spanja nën peshën e akuzave për korrupsion, është në Emirate. Lajmin e bën të ditur gazeta spanjolle Abc, duke kundërshtuar informacionet e mëparshme se sundimtari 82-vjeçar ishte nisur drejt Republikës Dominikane ose drejt Portugalisë.

Shtëpia Mbretërore nuk ka dhënë informacion për destinacionin e Juan Carlos, i cili abdikoi në vitin 2014, duke ia lënë fronin djalit të tij, Mbretit Felipe VI.

Të hënën e kaluar, Shtëpia Mbretërore njoftoi vendimin e Juan Carlos për të lënë Spanjën pas hetimeve të hapura mbi dyshimet se ai ka fshehur para në parajsat fiskale. Menjëherë nisën spekulimet për vendin ku ai do të shkonte.

Ish-mbreti raportohet se është larguar të hënën e kaluar me një avion privat, Global 6500, me regjistrim 9H-VBIG të marrë me qira nga kompania Tag Aviation. Ky avion është një nga më të mirët në treg dhe ka një vlerë prej rreth 50 milion euro. Plani i fluturimit është modifikuar për të shmangur çdo gjurmim, një praktikë mjaft e zakonshme për ata që e përdorin këtë mjet luksoz të transportit – kryesisht futbollistë, biznesmenë dhe artistë – të cilët nuk duan të gjurmohen nga paparacët, shkruan ABC.

6 038 kilometrat që ndajnë Vigon nga Abu Dhabi janë përshkuar në 7 orë dhe 13 minuta. Avioni u ul në aeroportin Azi (Aeroporti Ekzekutiv Al Bateen). Pastaj në orën 6 pasdite, ndërsa letra e Juan Carlos që njoftonte largimin e tij po bëhej publike, ai ka hyrë në hotelin luksoz “Emirates Palace”.

Ish-monarku është akomoduar në njërën nga gjashtë suitat presidenciale, të rezervuara për anëtarët e familjeve mbretërore, të cilat kushtojnë rreth 11 mijë euro/nata. Një kështjellë në njëfarë kuptimi, pasi është e blinduar me siguri private, e garantuar nga miku i tij, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Princi i Kurorës në Emirate. Abu Dhabi ka qenë gjithmonë një nga destinacionet e preferuara të mbretit. Herën e fundit që ai e ka vizituar Abu Dhabin ka qenë në vitin 2019 për Formula 1.