Bota El Chapo do të tradhtohet nga gruaja? Mund të nxjerrë sekretet e...

El Chapo do të tradhtohet nga gruaja? Mund të nxjerrë sekretet e Kartelit për t’i shpëtuar burgut

Gruaja e Joaquin El Chapo Guzman mund t’i jetë vetëdorëzuar autoriteteve të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara. “Vice News” raporton se ka mësuar përmes disa burimeve se Ema Coronel është dorëzuar, edhe pse fillimisht u raportua se ishte arrestuar.

Burimet thonë se gruaja e trafikantit më të famshëm të kokainës pas Pablo Escobar mund të jetë gati të bashkëpunojë me drejtësinë amerikane për të siguruar detaje të reja nga aktiviteti i Kartelit të Sinaloas, që drejtohej nga El Chapo, ndërsa sot që ai është pas hekurave, drejtohet nga djemtë dhe miqtë e tij.

Mike Vigil, një ish-agjent i DEA-s dhe njohës i karteleve meksikane, tha për “The Sun” se ajo mund të ketë informacione të vlefshme sepse ka qenë në dijeni të gjithçkaje. “Emma Coronel gjithmonë ka qenë princesha “Narcos”. “Babai i saj Inez dhe vëllai Omar ishin trafikantë droge dhe kur u martua me El Chapo-n, familjet bashkuan edhe trafikun. Guzman mori në organizatën e tij babain dhe vëllain e saj. Anëtarët e karteleve u besojnë familjarëve më shumë se kujtdo tjetër”, tha Vigil. “Ajo mund të japë shumë informacione që mund të çojnë në procedimin penal të anëtarëve të tjerë të Kartelit të Sinaloas. Nëse bashkëpunon, jeta e saj është në rrezik. Por shtysa e saj mund të jenë dy vajzat e vogla. Nëse përfundon në burg, nuk do t’i shohë më kurrë”.

Coronel u njoh me El Chapo-n kur ishte adoleshente dhe është 32 vite më e vogël se ai. E lindur në Kaliforni, ajo ka nënshtetësi të dyfishtë, meksikane dhe amerikane. Përgjatë gjithë jetës së saj, Guzman ka qenë ose në arrati, ose në burg.

Ndërkohë, gjykata vendosi që Coronel do të qëndrojë në qeli deri në ditën e daljes në gjyq. 31-vjeçarja u vu në pranga në aeroportin e Uashingtonit më 23 shkurt, dhe akuzohet për trafik të lëndëve narkotike, si heroina, kokaina, marijuhana dhe metafetamina, si dhe për komplot në arratisjen e Guzman nga burgjet meksikane.