Aktualitet EMRAT/ Armë dhe municione të fshehura në makinë, arrestohen 4 persona në...

EMRAT/ Armë dhe municione të fshehura në makinë, arrestohen 4 persona në Tiranë

Katër persona janë vënë në pranga për posedim të armë dhe municioneve gjatë një operacioni të përbashkët të komisariatit nr.4 në Tiranë dhe Forcave Shqiponja.

Policia tha se u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Bledar Matoshi, 33 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje; Kid Koshena, 28 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Redion Meshi, 22 vjeç, drejtonte automjetin ku u gjetën armët. Automjeti ishte në pronësi të shtetasit Klajdi Vrioni (Kodra).

Këta persona janë arrestuar në hyrje të fshatit Tujan, në Rrugën e Arbrit, pasi brenda automjetit tip “Range Rover” me të cilin qarkullonin u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, me krehra me municion luftarak, të fshehura poshtë kofanos së automjetit.

“Në vijim të operacionit ‘Katrori’, u ushtrua kontroll edhe në banesat e këtyre shtetasve dhe si rezultat, në banesën e shtetasit të arrestuar R. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 armë zjarri kallashnikovë dhe një sasi municioni luftarak. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 4 armë zjarri, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 5 aparate celulare dhe automjeti me të cilin lëviznin 4 të arrestuarit”, sqaroi policia.