Aktualitet Emrat/ Kush janë vëllezërit shqiptarë, transportuan 7 mln paund në 80 fluturime...

Emrat/ Kush janë vëllezërit shqiptarë, transportuan 7 mln paund në 80 fluturime nga Anglia

Tre shqiptarë janë burgosur për kontrabandën e më shumë se 7 milionë paund në më shumë se 80 fluturime nga aeroportet në Angli.

Mediat britanike shkruajnë se kokat e rrjetit të transportit të parave janë dy vëllezër shqiptarë, Jak dhe Gjelosh Kolicaj, të cilët organizuan udhëtime për katër të tjerë që vepruan si korrierë duke transportuar sasi të mëdha parash në bagazhet e tyre.

Bëhet fjalë për mbi 80 udhëtime që u bënë nga grupi në mes të nëntorit 2016 dhe janarit 2018, në shtete përfshirë Belgjikën dhe Greqinë për transportin e mëtejshëm pastaj drejt Shqipërisë.

Gjelosh Kolicaj, 37 vjeç, dhe Jak Kolicaj, 47 vjeç, çonin korrierët në aeroport dhe prisnin derisa ata të kalonin kontrollin e valixheve dhe pastaj largoheshin.

Në shtator 2017, policia i kapi 180,000 paund Faton Syberit ndërsa ai u përpoq të udhëtonte në Selanik nga aeroporti i Stansted.

Paratë ishin ne valixhe ngjyre kafe, të mbështjella me qese dhe brenda një tjetër valixheje të brendshme.

Gjelosh Kolicaj dhe Faton Syberi u deklaruan fajtorë dhe po ashtu edhe Jak Kolicaj.

Jak Kolicaj u dënua me 8 vjet burg, Gjelosh Kolicaj me 6 vjet dhe Faton Syberi me dy vjet e pesë muaj burg.