Aktualitet Emri/ Kapet në Rinas shqiptari me identitet të rremë i dënuar për...

Emri/ Kapet në Rinas shqiptari me identitet të rremë i dënuar për vrasje

Një 41-vjeçar shqiptar i kthyer nga Italia është kapur në Rinas pasi iu zbulua identiteti i vërtetë, ndaj të cilit ka një vendim gjyqësor për vrasje.

Ditën e djeshme, Italia deportoi për në vendin tonë Kristian Dedën, i cili kishte vuajtur dënimin në shtetin italian me 17 vite burgim për vrasjen e një shtetasi italian.

Gjatë intervistimit në Rinas, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, kanë krijuar dyshime për gjeneralitet e tij. Pas një pune hetimore prej 4 orësh, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin kanë arritur të zbulojnë identitetin e dytë dhe të vërtetë të 41-vjeçarit. Ai quhet Agron Lleshaj nga Mamurrasi.

Lleshaj rezulton të jetë dënuar në mungesë në vitin 2001 me 18 vite burg nga Gjykata e Kurbinit për vjedhje me pasojë vdekjen dhe armëmbajtje pa leje.

Ngjarja për të cilën është dënuar ka ndodhur më 9 Prill 2000 në aksin nacional Tiranë – Laç, në vendin e quajtur Ura e Drojes, në bashkëpunim me shtetasin G. D, të maskuar dhe nën kërcënimin e armës, në tentativë për ta vjedhur, kanë plagosur shtetasin G.G., i cili më pas ka gjetur vdekjen.