Kryesore Ëndrrat që u prenë në mes! Disa nga historitë përlotëse të viktimave...

Ëndrrat që u prenë në mes! Disa nga historitë përlotëse të viktimave të tërmetit

Historitë e atyre që kanë humbur jetën nga tërmeti nuk janë vetëm tragjike, por të dhimbshme, deri në kufijtë e të pabesueshmes.

Tërmeti i 26 nëntorit u tregua i pamëshirshëm dhe u mori jetën 51 personave.

Mes tyre u shuan persona në lule të rinisë, të moshuar dhe tërmeti nuk kurseu as foshnjat.

Më poshtë mund të njiheni edhe historitë përlotëse dhe të mësoni ëndrrat që u prenë në mes.

Almir Cara dhe Stela Steneci

Këta që shihni në foto janë dy prej viktimave të tërmetit katastrofik, që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit.

Çifti i të rinjve, Almir Cara dhe Stela Steneci, kanë humbur jetën në Thumanë, teksa banesa e tyre është shkatërruar.

Vajza ishte nga Korça, por e fejuar me Almir Carën. Ata kishin planifikuar që në verën e vitit 2020 të martoheshin.

Rolejt Vata

Rolejt Vata vogëlushi 7-vjeçar, u nxor i pa jetë pak pas mesnatës së 28 nëntorit.

Pas tërmetit të së martës nëna e tij e nxori të gjallë poshtë pallatit, por teksa u ngjit të shpëtonte djalin tjetër, vjehrrën dhe vjehrrin, vogëlushi u shkëput prej saj.

Atë e zunë rrënojat e pallatit që u dërrmua dhe i pajetë është gjetur në krahët e një gruaje të paidentifikuar ende.

Aderina, 21-vjeçarja që humbi jetën nën rrënoja

Aderina Kabili ishte vetëm 21-vjeçe. Ajo punonte në fasoneri dhe çdo ditë në orën 05:30 të mëngjesit nisej për në punë. E reja nga Thumana shkoi për të fjetur mbrëmjen e së hënës, pa e ditur se të nesërmen në mëngjes nuk do të zgjohej më.

Në moshën më të bukur dhe me një të ardhme përpara, Aderina u shua tragjikisht nga tërmeti i së martës. Ajo ishte në gjumë. Babai i saj, Haxhi Kabili kishte shkuar ta zgjonte përpara lëkundjeve vdekjeprurëse të orës 03:54 minuta, por Aderina, ndoshta e lodhur nga një ditë më parë, nuk u zgjua.

Në një rrëfim të dhënë për mediat vetëm pak përpara se trupi i saj i pajetë të gjendej poshtë rrënojave, babai i saj 52-vjeçar tregoi se kur kishte hapur derën ku flinte e bija, gjithçka kishte përfunduar.

Haxhi Kabili arriti të shpëtonte bashkëshorten dhe një fëmijë të fqinjëve, por jo vajzën e tij. Vetëm pak çaste pas tërmetit ai kërkonte i dëshpëruar për të bijën, ashtu sikurse edhe një ditë më pas, por këtë herë i dorëzuar me faktin se e bija nuk jetonte më.

Trupi i Aderinës u gjet orët e vona të së mërkurës nga gërmadhat e pallatit 5 katësh, ndërsa këtë të enjte në orën 14:00 ajo u përcoll për në banesën e fundit.

Kjo vajzë e re e plot jetë u shua sëbashku me dhjetëra të tjerë, nga lëkundjet tragjike të 26 Nëntorit.

Eviola Broshka

Në mesin e viktimave të tërmetit 6.4 ballë është edhe Eviola Broshka, 28-vjeçarja që punonte si balerinë dhe njihej me emrin e artit si “Evi Kardashian”.

E reja punonte në një lokal nate ku kërcente tallava dhe paragjykohej për punën e saj. Por sipas informacioneve ajo e bënte këtë punë pasi dëshironte të shpëtonte të ëmën nga një sëmundje e rëndë. Për fat të keq nuk ia doli!

Cane Cara

Djaloshi 18-vjeçar nuk mundi të dilte i gjallë dhe të festonte ditëlindjen e tij.

Ditën e mërkurë ai do të mbushte 18 vjeç dhe me rastin e ditëlindjes kishte ftuar shokët e tij për të festuar.

Ai i kishte thirrur ata që një muaj më parë, por për fat të keq shokët e tij u mblodhën për ta dërguar në banesën e fundit.

Historia e familjes Çupi

Historia e familjes Çupi është një nga më të rëndat.

Nëna, babai, dhe dy djemtë, që këtë javë do të mblidheshin në shtëpi, pikërisht në Thumanë, në njërin nga pallatet e shembura sepse do të festonin.

Do të fejohej Nikolin Çupi, që nga kjo tragjedi është një nga të shpëtuarit. Nikolini ishte kthyer nga Greqia veç një javë më parë, për të vënë unazën në gisht.

Keli, djali që humbi jetën me hemorragji cerebrale, kishte ardhur para 1 jave nga Anglia për të qenë i pranishëm në gëzimin e të vëllait.

Nëna e tij Lute Çupi dhe babai Hajredin Çupi kanë humbur po ashtu jetën. Ndërsa trupi i pajetë i Lutes është nxjerrë nga rrënojat.

Por Keli, e ka historinë edhe më tragjike. Ai ka qëndruar nën rrënoja për 17 orë me radhë, jepte shenja jete. Ai u raportua se ka kërkuar edhe ujë, ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me forcat operacionale. Madje ka pirë ujë. Ai ka humbur jetën pasi doli për shkak të hemorragjisë cerebrale.

Kristi Reçi

Do të ishte dermatologe e ardhshme. Por ëndrrat e Kristi Reçit, studente e Mjekësisë në Tiranë, u prenë në mes. Ajo humbi jetën nën rrënoja në lagjen numër 18 në Durrës në një pallat 6 katësh i cili u shemb.

Fati për familjen e saj ishte tragjik. Kristi Reçi humbi edhe babain, Eduardin, nënën Dolora dhe vëllain 22-vjeçar.

Kristi Reçi kishte një ëndërr: të bëhej doktoreshë dermatologe dhe të vazhdonte jetën në shërbim të komunitetit si mjeke.

Diena Meçaj, Eisela, Roza Meçaj

Diena Meçaj Karanxha 30-vjeçare doli e gjallë nga rrënojat e një pallati 6-katësh në Durrës në lagjen numër 18, teksa vajza e saj 8-vjeçare Eisela kishte ndërruar jetë nën rrënojat e godinës. Por nuk mundi të mbijetojë gjatë. Diena Meçaj ndërroi jetë në spital. Nën rrënoja mbeti dhe nëna e saj, Roza Meçaj, duke shuar kështu një familje. 5 vite më parë, Diena kishte humbur edhe bashkëshortin e saj.

Kristian Preçi

25-vjeçari Kristian Preçi nuk mundi të shijojë lirinë. Ai kishte vetëm dy ditë që kishte dalë nga burgu, por ndërroi jetë nga tërmeti i së martës. I riu mori lëndime nga tërmeti teksa ishte në banesën e tij në Kurbin. Hipi në makinën dhe në tentativë për të shkuar me shpejtësi në spitalin e Laçit ka humbur kontrollin e makinës dhe ka dalë nga rruga. Avokati i tij tha se Preçi kishte vuajtur dënim duke qenë i pafajshëm.

Isa dhe Shemsedin Abazi

Isa dhe Shemsedin Abazi janë dy vëllezër nga Kosova të cilët u shuan nën rrënojat e hotel “Tropikal” në Durrës, të shembur nga tërmeti. Të rinjtë kishin arritur të kërkonin ndihmë me anë të celularit, por pas mbi 10 orë nën rrënoja, ata nuk mundën të mbijetonin. Kanë lënë pas fëmijët e tyre, njëri 4 të vegjël dhe tjetri dy fëmijë. Ata shkonin në Durrës për të punuar, por atë ditë intensiteti i punës kishte rënë dhe vendosën të qëndronin në këtë hotel.

Gjyshja heroinë

Një grua e moshuar humbi jetën në Thumanë pasi u zu nën rrënoja.

Ajo u përpoq me shpirt që të shpëtojë nipin e saj, i cili u nxor  i gjallë teksa qëndronte në prehrin e saj. Gjyshja ishte pjesë e familjes Vata, ku humbi jetë edhe Rolejti i vogël.

Historia e familjes Greku

Tërmeti i 26 Nëntorit shuajti 3 pjesëtarë të familjes Greku. Pëllumb Greku, Çelike Greku dhe Sajmir Greku jetonin në një prej pallateve të shembura në Thumanë. Bashkëshortët gjetën vdekjen në vendngjarje, ndërsa 31-vjeçari doli i gjallë nga rrënojat dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në Spitalin e Traumës.

Klotilda Greku, gruaja e Sajmir Grekut rrëfei për natën tragjike kur humbi bashkëshortin. Fati deshi që ajo dhe vajza e vogël Klejsa të vizitonin prindërit e saj fundjavën që lamë pas dhe nuk ndodheshin në shtëpi, kur ra tërmeti me magnitudë 6.4. Sot, e veshur e gjitha me të zeza, Klotilda ka mbetur vetëm me vajzën 1 vjeç e 7 muajshe, të cilën Sajmiri e kishte idhull.

Klotilda kishte biseduar në telefon mbrëmjen e së hënës me bashkëshortin e saj. Madje kishin bërë shaka për tërmetin e rënë po atë mbrëmje.

30-vjeçarja tregon se kishte planifikuar të nisej drejt Tiranës disa ditë me herët, e të kthehej më herët, por kishte qenë pikërisht Sajmiri që e kishte bërë që ta shtynte vizitën tek prindërit e saj, pasi donte të rrinte me të bijën.

Tërmetin e orës 03:00, Pëllumb Greku kishte biseduar në telefon me një prej mbesave të tij, e cila i kishte kërkuar që të dilnin nga banesa, në çdo rast. Por ai i kishte thënë se Sajmiri ishte në gjumë, se i vinte keq ta zgjonte të birin dhe se “nuk është gjë, e se jemi mësuar ne tani me tërmetet”.

Saimiri punonte në një fabrikë xhamash në Tiranë, Vinte-shkonte, e bënte përditë rrugën.