Sport Enigma te PSG: Kur do rikthehet në fushë Sergio Ramos?

Enigma te PSG: Kur do rikthehet në fushë Sergio Ramos?

Kthimi i Sergio Ramosit në fushë mbetet enigma e madhe e këtij tetori për PSG-në. Edhe pse qendërmbrojtësi ndihet mirë dhe dëshiron të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur, stafi mjekësor i ekipit parizien nuk po e autorizon aktivizimin e tij të shpejtë, por ekziston rreziku e rikthimit të problemeve fizike që mund ta lënë larg fushave për shumë muaj.

Ky është informacioni i fundit që ka siguruar “L’Equipe”, që thekson se Ramos dëshiron të luajë me PSG, por nuk janë të këtij mendimi stafi mjekësor i klubit të pasur francez.

Nëse mbrojtësi spanjoll e afron aktivizimin e tij, pulpa e këmbës së majtë mund të lëndohet përsëri e kjo do të shkaktonte pasoja më të rënda për ish-lojtarin e Realit të Madridit.

“Le Parisien”, ndërkohë, ka qenë disi më optimiste, kjo gazetë shkruan se Ramos mund të bëjë debutimin e tij, në rastin më të mirë, më 29 tetor, kundër Lille. Ai nuk do të luajë kundër Angers të premten, as kundër Leipzigut në Champions, madje as kundër Olimpikut të Marsejës në klasiken e Francës, më 24 tetor.

Që kur nënshkroi për PSG në korrik, Ramos ende nuk ka qenë në gjendje të zbresë në fushë me ekipin e tij të ri për shkak të problemeve në pulpë dhe në gju.