Bota Epidemiologu suedez: Rënie e shpejtë e rasteve të reja, por nuk e...

Epidemiologu suedez: Rënie e shpejtë e rasteve të reja, por nuk e dimë shkakun

Shefi epidemiolog suedez Anders Tegnell tha se që nga fillimi i korrikut, ka një rënie të shpejtë të numrit të të infektuarve në Suedi.

“Por pse ndodhi saktësisht në këtë kohë dhe pse ishte kaq e papritur, unë mendoj se është pak e vështirë ta kuptosh plotësisht atë”, i tha Tegnell mediave suedeze.

Ai shtoi se rënia e numrit të të infektuarve nuk duket se ka të bëjë me festat apo ndonjë masë të marrë nga autoritetet shëndetësore.

“Ne besojmë se rritja e numrit të njerëzve imunitar në popullatë ka të bëjë me të, por ne me të vërtetë nuk e dimë saktësisht”, tha ai.

Tegnell beson se ulja e numrit të rasteve të koronavirusit në korrik në Suedi tregoi se strategjia e tyre, sipas së cilës u shmang shumica e masave të rrepta të paraqitura nga shumica e vendeve, pati sukses në një farë mënyre.

“Numrat në Suedi tregojnë se mund të ketë një rënie të shpejtë të numrit të rasteve pa mbyllje”, shtoi epidemiologu suedez.

Virusi tek të rinjtë

Tegnell pranoi se numri i rasteve të reja të koronavirusit është rritur paksa gjatë javës së kaluar, veçanërisht në mesin e të rinjve.

“Por duket se ne mund ta trajtojmë atë”, tha ai.

Ai theksoi se një nga gjërat që dihet tani në lidhje me virusin e koronës është se është një sëmundje shumë e paparashikueshme.

Sipas të dhënave më të fundit, 5,763 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Suedi, pothuajse pesë herë më shumë sesa në Danimarkë, Norvegji dhe Finlandë të marrë sëbashku.

Zbulimi dhe izolimi do të jenë thelbësore për suksesin ose dështimin në frenimin e përhapjes së koronavirusit në fazën tjetër të pandemisë, vlerësoi ai.