Sport Episodi i rrallë në Turqi, arbitri ndërpret ndeshjen për Iftar

Episodi i rrallë në Turqi, arbitri ndërpret ndeshjen për Iftar

Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit është një rit që ndiqet edhe në botën e futbollit. Kështu që nuk është çudi që të ndodhin episode të çuditshme, sikurse ajo që u pa në ndeshjen e Ligës së Parë të Turqisë mes Giresunspor-Ankara Keçiörengücü, për javën e 30-të.

Duke qenë se futbollistët që agjërojnë, nuk hanë dhe pinë nga agimi në mbrëmje gjatë muajit të Ramazanit, 10 minuta pas fillimit të ndeshjes arbitri kryesor, Onur Özütoprak, mendoi të shfrytëzonte një moment pushimi, për shkak të dëmtimit të një futbollisti, për të ndërprerë ndeshjen. Arsyeja? T’u jepte mundësi lojtarëve të hanin diçka me shumë qetësi, që të kishin energji gjatë ndeshjes.

Një veprim i bukur dhe i veçantë, që po merr shumë vëmendje në Turqi. Futbollistët e të dyja skuadrave qëndruan për disa minuta jashtë fushës, për t’u ushqyer, pa u nxituar për rinisjen e lojës.

Ndeshja vijoi normalisht dhe u mbyll me fitoren 2-1 të Giresunspor, skuadër që kryeson kampionatin me 63 pikë, 5 më shumë se Adana Demirspor, duke iu afruar edhe më shumë objektivit, promovimit të elitën e futbollit turk.