Politika “Erdhi koha për llogari”/ Presidenca: Shoqja Etilda, trego shokët

“Erdhi koha për llogari”/ Presidenca: Shoqja Etilda, trego shokët

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi komentoi deklaratën e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për të cilën tha se pranoi njëkohësisht fajin duke mos i dhënë shpjegim asnjë prej veprimeve që kishte kryer për botimin në Fletore Zyrtare të akteve të KED.

Në një postim në “Facebook”, Blushi renditi katër veprat penale për të cilat Gjonaj është kallëzuar nga Meta, së bashku me dy zyrtarë.

“Shoqja Etilda me deklaratën e saj sot nuk u dha asnjë shpjegim shkeljeve të ligjit që ka konsumuar, por përballë fakteve të pakundërshtueshme, vijoi avazin: retorikë me veten. Me daljen e sotme, shoqja Etilda, ka pranuar tërësisht fajësinë për të gjitha veprat penale për të cilat ajo është akuzuar. Shoqja Etilda nuk mundi të arsyetonte dot, se cila qe baza ligjore që e autorizon apo i jep të drejtë Ministrisë së Drejtësisë të kërkojë apo të urdhërojë botimin në Fletoren Zyrtare të një akti që nuk ishte nxjerrë prej institucionit të saj! Shoqja Etilda, nuk i dha përgjigje pyetjes, cila është ajo dispozitë e Kushtetutës dhe e Ligjit që lejon botimin në Fletoren Zyrtare të akteve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.  Shoqja Etilda, para se të përmendë në mekje e sipër nenet 3 dhe 4 të ligjit nr. 78/2014 “Për Qendrën e Botimeve Zyrtare”, bën mirë t`i lexojë më parë vetë. (Lexoji mirë nenet e mëposhtme) Pra shoqja Etilda, vërtet ka dashur të bëjë publik sipas porosisë së shefit së saj, një akt të KED-së në Fletoren Zyrtare, po ka harruar të lexojë të gjithë ligjin, ku sanksionohen se në Fletoren Zyrtare botohen vetëm ato akte që përcakton Kushtetuta dhe ligji.”

Mes të tjerash, Tedi Blushi nënvizoi se kushti parësor për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian do të jetë hetimi dhe ndëshkimi i krimit kushtetues kryer nga organizata kriminale.

“Shoqja Etilda, anashkaloi sqarimin për falsifikimin e dokumenteve shtetërore, kur vet Kuvendi i Shqipërisë, nuk i kishte kërkuar botimin në Fletore Zyrtare. Dita e shtunë e datës 9 nëntor 2019, kur shoqja Etilda dhe celula mafioze në Ministrinë e Drejtësisë, ka dalë në punë, është një prej elementëve që provon anën subjektive të konsumimit me nxitim dhe dashje të veprave penale, ndikimit të paligjshëm, falsifikimit, dhe shpërdorimit të detyrës. Sa për hapjen e negociatave me BE-në, duhet ta dish se Kryekushti do të jetë hetimi dhe ndëshkimi i krimit Kushtetutës që keni bërë ju si grup i strukturuar kriminal. Po pse u lodhe kaq shumë moj shoqe e vërtetë Rilindase, për të mos thënë asgjë?! Etilda, trego shokët! ME QETËSI DHE DREJTËSI, ERDHI KOHA PËR LLOGARI!”