Aktualitet Erdhi në Tiranë 24 orë para ngjarjes, flet shqiptarja rezidente në Liban:...

Erdhi në Tiranë 24 orë para ngjarjes, flet shqiptarja rezidente në Liban: Si i shpëtova shpërthimit në Bejrut

Asgjë nuk ndodh rastësisht në këtë botë! Megjithatë, shumë rastësi të mbledhura bashkë bënë që një shqiptare t’i shpëtojë mrekullisht shpërthimit të tmerrshëm që kaploi Bejrutin dy ditë më parë në Liban, ngjarje që tronditi çdokënd anë e mbanë botës.

Politiko.al ka biseduar nga afër me Edlira Baka Peçon, shqiptaren rezidente që jeton bashkë me familjen prej tri vitesh në Liban.

Rasti i Edlirës nuk është i zakontë, pasi fati deshi që ajo dhe të dashurit e saj të mos cenoheshin as edhe një fije floku dhe të largoheshin nga Libani vetëm 24 orë para shpërthimit katastrofik në port, që fshiu e bëri shkrumb e hi ç’gjeti përreth.

Edlira tregon jo vetëm peripecitë që ndeshi për shkak të pandemisë kur planifikoi të vinte në Shqipëri për pushime fillimisht në 10 gusht, pra pas shpërthimit, por edhe se si rrodhën ngjarjet që ajo të anulonte këtë datë e të mbërrijë në tokën shqiptare vetëm 24 orë përpara, duke blerë një biletë më të kushtueshme të klasit biznes, por që i shpëtoi jetën dhe familjen…

Edlira, prej sa kohësh jetoni me familjen në Bejrut dhe me çfarë ishit e angazhuar atje?

Unë jetoj me familjen time në Liban që prej qershorit 2017. Jam e angazhuar si funksionare e mbrojtjes humanitare me UNHCR-në. Është përvoja ime e parë në nivel ndërkombëtar, sepse kam mbajtur këtë funksion më herët për shumë vite në zyrën e UNHCR-së Tiranë. Tri vjet më parë u zhvendosëm pas shumë përpjekjeve, por edhe hezitimeve për në Lindjen e Mesme, por rezultoi të ishte një përvojë shumë mbresëlënëse. Ishte një vendosje mjaft e efektshme. Fëmijët u përshtaten e integruan më së miri, unë bëja e vijoj te bëj me pasion punën time në ndihmë të refugjatëve.

Në Liban jetoj në Tripoli, që është vetëm 80 km larg Bejrutit, megjithatë zyra qendrore e UNHCR-së është në Bejrut. Pra, jetën time profesionale për këto vite e kam patur mes Tripolit dhe Bejrutit.

Nëse do kishit rastisur në Liban ditën kur ndodhi shpërthimi, a do ishte kërcënuar jeta juaj dhe e familjes?

Në Tripoli jo drejtpërdrejtë, por dje na erdhi një mesazh që na udhëzonte të shmangnim lëvizjet nga shtëpitë për shkak pasigurisë në vend e mundësisë të kontaminimit të ajrit nga lëshimi i gazrave kimikë që shkaktoi shpërthimi. Është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në të gjithë Libanin. Kjo edhe për faktin se Libani është një vend i vogël, për ta thjeshtësuar, sa 1/3 e sipërfaqes së Shqipërisë. Duke qenë se ngjarja ndodhi në port, niveli i gazrave kimikë shpërndahet në të gjithë vendin në varësi të drejtimit të erës, kështu që rrezikon të gjithë zonën.

Rasti juaj është i rrallë, si ndodhi që arritët të vinit në Shqipëri vetëm 24 orë para shpërthimit?

Në fakt, ne kishim planifikuar të vinim më herët në Shqipëri për pushime, por do të rendis një sërë rastësish që bënë që ne të mos e shihnim atë ngjarje nga afër, edhe pse e përjetuam sikur te ishim aty.

Kur u hap aeroporti në 4 korrik, siç dihet për shkak të pandemisë, ne fillimisht premë biletën për të ardhur në 31 korrik. Pasi u përgatitëm na vjen një e-mail nga agjencia e fluturimit dhe na njofton se fluturimi anulohet. Më pas, na u desh të planifikonim udhëtimin sërish në datën më të afërt dhe ishte 10 gushti.

Por, kjo datë nuk më na përshtatej për shkak të frikës së skadimit të pasaportave tona kombëtare dhe mu desh të kontrolloja për një datë më të afërt dhe e vetmja mundësi ishte një udhëtim në klasin biznes, por me dyfishin e çmimit, kosto që e morëm përsipër pavarësisht se shtrenjtë për buxhetin tonë familjar.

Tani e quaj si një shenjë nga Zoti. Vendimi im për të ardhur në Shqipëri para kësaj date më erdhi natyrshëm e tani e kuptoj qe ka qene një ogur i mire për sigurinë time e të familjes. Kisha mall për prindërit e njerëzit e mi të afërt pas më shumë se një vit mungese në Shqipëri. Mbërrita në Tiranë pasditen e 3 gushtit, pra 24 orë para ngjarjes. Prindërit e mi mezi na prisnin, pasi kisha shumë kohë që nuk i takoja (më përpara vija 3-4 herë në vit), por ky vit ishte ndryshe për të gjithë prej shumë arsyeve por kryesisht prej pandemisë COVID-19.

Më parë kishim disa mundësi te ndryshme udhëtimi drejt Shqipërisë nga Bejruti, por këtë herë ishte vetëm një linjë – ajo turke – që kishte hapur fluturimet me Bejrutin. Zgjodhëm ta merrnim me çdo lloj kostoje. 10 gushti ishte një mundësi që në dukje ishte me e përshtatshme se kushtonte me pak, por ne fatmirësisht nuk pritëm. Na kushtoi financiarisht më shtrenjtë, por ja fati deshi që të vinim shëndosh e mirë.

A ka shqiptarë të tjerë në Liban, apo në Bejrut?

Shqiptarë rezidentë të njohur nga konsullata shqiptare në Liban janë vetëm familja ime, që u larguam para ngjarjes dhe një tjetër e përbëre nga një grua shqiptare e martuar me një libanez që në vitin 2000. Ne jetojmë në Tripoli. Për sa di unë të tjerë nuk ka, mund të ketë vetëm investitorë ose të tjerë që vijnë për arsye të ndryshme të përkohshme, studimi, turizmi etj. Si të ardhur nga një vend jo shumë i njohur për libanezët kur dilnim për darka me vendas, na mbanin si mall kurioziteti, donin të dinin për Shqipërinë, për shqiptarët. Ne nuk njihemi aq sa duhemi në atë pjesë te botës.

A keni miq tuaj të lënduar nga shpërthimi?

E lamë Libanin tek përpëlitej në gjithë këto vështirësi e dje u zgjua i shkatërruar fizikisht, moralisht, shpirtërisht. Një ndjesi keqardhje e pashoqe. Kolegët në Liban janë miq të mitë. Përgjatë këtyre 3 viteve u bënë familja ime. Për fat të mirë, nuk patëm humbje mes nesh, sigurisht dëmtime e plagosje të lehta, por ajo që dhemb më shumë është tronditja mendore, shpirtërore që i gjithë kombi ka pësuar pas kësaj ngjarje.

Unë personalisht nuk mundja dot ta besoja atë që po shikoja nga media. Madje, për një moment i shkrova koleges sime së zyrës së sigurisë për ta pyetur nëse kjo ishte një shaka e rrjeteve sociale, ngaqë situata ekonomike dhe sociale atje është shumë dëshpëruese, por jo, fatkeqësisht ishte e vërtetë. “Jemi me zemër të ngrirë” më tha kolegia ime, pasi Libani ka kaluar përvoja të hidhura në të kaluarën prej situatave të konfliktit.

Shume dyshime e frikëra nisën të qarkullonin fill pas shpërthimit; thjesht një fabrikë fishekzjarrësh, një bombë, një sulm terrorist….! E veçmas kësaj, ankthi për një goditje të dytë ekzistonte gjerësisht. Për libanezet ky ishte si një mallkim. Të gjithë janë të shokuar.

Problemi më i madh që ka ndodhur pas shpërthimit është se më shumë se gjysma e Bejrutit ishte pa energji elektrike dhe pjesa më e afektuar janë spitalet që janë në qendër. Mjekësia ne Liban është e një standardi mjaft të lartë si për nga infrastruktura ashtu edhe nga përgatitja e kualifikimi i mjekëve e personeli mjekësor.

Në Liban vijnë nga anë e kënd botës për t’u kuruar. Por, këto dy ditë fatkeqësisht spitalet e Beirutit nuk mund të përballonin dot fluksin e pamate të pacientëve, e si rrjedhoje shumë prej tyre janë transferuar përmes Kryqit te Kuq Libanez në zona të tjera të vendit për të marrë ndihmën e shpejtë e për t’u trajtuar.

Çfarë ju kanë treguar miqtë tuaj që ndodhen në Liban për situatën?

Ky ka qenë një vit i vështirë për Libanin, si për libanezët ashtu edhe për të tjerë që punojnë e jetojnë atje. E lamë Bejrutin mes krizës ekonomike më të rëndë në pothuaj 50 vitet e fundit për ta, mes një situate të përkeqësuar prej pandemisë se COVID-19, dhe krizës sociale e politike. Libani është karakterizuar prej pothuajse një viti nga protesta maratonë 24 orëshe në çdo qytet për muaj te tere. Në këtë situatë të vështirë për vendin duhet përmendur edhe prania e pothuaj 1 milion refugjatëve sirianë nga ana tjetër, rreth 1 milion që përballen përditë me vështirësi që janë të lidhura ngushtësisht me situatën e përgjithshme të vendit.

Më ka bërë përshtypje e më ka lëne mbresa të pamohueshme solidarizimi i banorëve atje për dhurimin e gjakut që t’u vijnë në ndihmë të plagosurve. Jam mahnitur nga radhët e gjata që presin para bankave të gjakut në Beirut, Tripoli e qytete te tjera – njerëz nga të gjitha moshat, që nga 18-vjeçarët e deri tej më të vjetrit. E këtu një tjetër vështirësi për t’u përmendur – situata e pandemisë COVID-19. Shumë prej dhuruesve do t’u duhej të testoheshin fillimisht për virusin që të mund të dhuronin gjak. E megjithatë solidariteti nuk mungonte ndonëse të dërrmuar nga ngjarja dramatike, nata, pasiguria e trishtimi që ndjenin.

Një ndjesi mirënjohjeje e humanizmi për t’u vlerësuar ishte prania e refugjatëve siriane që po ashtu shprehen vullnetin e tyre për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve, me çfarë kishin mundësi, që nga dhurimi i gjakut e deri tek mbledhja e fondeve për asistencë.

Edhe në organizatën tonë, i gjithë stafi u mobilizua në ndihmë të atyre më në nevojë. Kolegë që jetojnë jashtë Beirutit e ku dëmi u ndje në një shkallë më të ulët, shprehën gatishmërinë e bujarinë e tyre të prisnin të tjerë kolegë, familjarë, individë që mbetën pa strehim.

Me siguri, edhe miqtë tuaj ju kontaktuan menjëherë pasi pamjet e shpërthimit bënë xhiron e botës…

Absolutisht, mund të them se ditën e ngjarjes më ka mbaruar dy herë bateria e celularit në më pak se tri ore dhe kam komunikuar me ta deri në 02.00 të mëngjesit. Më kanë shkruar të shqetësuar miq nga e gjithë bota, nga Amerika, Guatemala, Rusia, Malta, Panamaja, Portugalia, Sllovenia… e madje edhe nga Shqipëria kam marrë mesazhe pa fund sepse nuk e dinin që isha kthyer ne Tiranë. Më dinin ende në Liban e u shprehën tejet të merakosur për mirëqenien time e të familjes sime. I falënderoj pa masë të gjithë!

Si u ndjetë kur mësuat për ngjarjen?

Isha e ende jam në një gjendje shoku total. Madje, kujtoja me tim shoq se meqë nuk ishte e sigurt pjesa fluturimit, kishim planifikuar të flinim një natë në Bejrut, por erdhën punët në atë mënyrë sa fatmirësisht nuk pati ndryshim fluturimi dhe ne erdhëm vetëm një ditë përpara kësaj ngjarje katastrofike.

Po të na kishte zënë atje kjo situatë, me siguri do ishim prekur. Jo vetëm që do mbeteshim atje, por kam frikë se do ishim bërë pjesë e traumës së përgjithshme që tashmë ka kapluar atë vend. Me sa di unë aeroporti nuk është prekur nga ky shpërthim, por me njoftuan se disa fluturime gjithsesi sot e ne ditët ne vijim janë anuluar.

Kam qenë ne një gjendje të tensionuar me emocione frike, mërzie, shqetësimi e trishtimi për këto orë qëkurse ngjarja ndodhi. Nuk arrij akoma te perceptoj dëmin e bërë në njerëz, jetë, objekte, histori, çdo gjë. Kur u shkruaja kolegëve të mi, të gjithë kishin një formulë përgjigjeje: “Jam gjallë. Kaq mund te them!” Kishin frikë a mbaroi me kaq e gjithë kjo histori, apo do të këtë valë tjetër. Janë të gjithë ende të tmerruar.

Unë vetëm fizikisht kam qenë këtu, por mendjen e zemrën e kisha e ende e kam në Liban, për nga kontaktet që kam gjatë gjithë kohës. Stacionet televizive në shtëpi kanë qenë përgjatë gjithë kohës te përqendruara në kanalet që transmetonin lajmet më të fundit për situatën atje. Njoftova kolegët e ofrova shtëpinë time në Tripoli për këdo që ka humbur shtëpinë e ka nevoje emergjente për strehim këto dite.

Kur keni planifikuar të ktheheni sërish në Liban, meqë biletën e kishit vetëm ardhje?

Po parashikoj te rikthehem ne Liban ne fillim të shtatorit në detyrën time. Ndonëse ndihem e lehtësuar që nuk u preka personalisht e familjarisht nga kjo ngjarje e tmerrshme ndihem e trishtuar që nuk u jam pranë miqve, kolegeve të mi në Liban për t’u bërë pjesë e dhimbjes së tyre e solidarizuar nga afër me përpjekjet e tyre që ta kalojnë sa më shpejt këtë ngjarje të tmerrshme që do të mbetet ne kujtesën e tyre, por jo vetëm, për shumë gjatë. Ndihem pjesë e Libanit po aq sa ndihem e Shqipërisë. Uroj që gjerat të stabilizohen në Liban e rajon e të më mundësohet kthimi aty sipas planeve te mia në shtator.

Ju faleminderit që më dhatë mundësinë të shpreh ndjesitë e mia në lidhje me këtë ngjarje, e të sjell sado pak me afër Libanin me Shqipërinë.

Burimi: Politiko.al