Bota Erdogan: Çdo vaksinë COVID-19 duhet të jetë pronë e përbashkët e gjithë...

Erdogan: Çdo vaksinë COVID-19 duhet të jetë pronë e përbashkët e gjithë njerëzimit

Çdo vaksinë kundër koronavirusit të ri (COVID-19) duhet të jetë pronë e përbashkët e gjithë njerëzimit, tha presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në një video konferencë të liderëve botërorë për të mbledhur 7.5 miliardë euro për të ndihmuar përpjekjet për zhvillimin e vaksinave dhe trajtimit të COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në këtë drejtim, është jashtëzakonisht e rëndësishme të garantohet qasja globale në vaksinën që do të prodhohet dhe zbatohet me kujdes parimi që askush nuk duhet të lihet pas”, tha Erdogan në videon e incizuar dhe të transmetuar për Samitin Global të Koronavirusit të udhëhequr nga BE.

Presidenti Erdogan shprehu ngushëllimet e tij për ata që humbën jetën për shkak të pandemisë dhe uroi shërim të shpejtë për ata që i nënshtrohen trajtimit.

“Turqia deri më 23 maj do të njoftojë premtimin e saj financiar për përpjekjet globale për të zhvilluar një vaksinë për COVID-19“, tha ai.

Erdogan gjithashtu theksoi se pandemia e koronavirusit nuk është më vetëm një krizë shëndetësore dhe është shndërruar në një test unik global me dimensione politike, ekonomike dhe sociale.

Presidenti i Turqisë gjithashtu tha që vendi i tij deri më tani u kishte ofruar ndihmë mjekësore 57 shteteve në mbarë globin për t’i mbështetur në luftën e tyre kundër virusit.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e shpalli pandemi globale.

Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i të prekurve nga pandemia ka tejkaluar shifrën 3.52 milionë, me rreth 248 mijë të vdekur dhe mbi 1.13 milion të shëruar.