Bota Erdogan entuziast për votimin kundër Trump për “Jeruzalemin”

Erdogan entuziast për votimin kundër Trump për “Jeruzalemin”

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka qënë një nga kundërshtarët e flaktë të Donald Trump për të zhvendosur ambasadën e SHBA-ve nga Tel Aviv në Jeruzalem, madje me anë të dy postimeve në Twitter, ai falenderon të gjitha vendet myslimane që e mbështetën.

“E mirëpresim me kënaqësi të madhe mbështetjen që morëm nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për rezolutën historike mbi Al-Quds Al-Sharif.

Presim nga administrata e Trump që të tërheqë pa vonesa të mëtejshme vendimin e papërshtatshëm, paligjshmëria e të cilit u qartësua nga OKB”, shkruan ai.

Në një status tjetër, Erdogan thotë: Në emrin tim dhe të popullit turk, theksoj mirënjohjen e të gjithë atyre që mbështetën kauzën e Palestinës dhe Al-Quds Al-Sharif”.

Rezoluta e miratuar në OKB dënon vendimin e Donald Trump për ta zhvendosur ambasadën amerikane nga Tel Aviv në Jeruzalem. Nga 193 vende që votuan, 65 nuk e mbështetën rezolutën qoftë duke votuar kundër, qoftë duke abstenuar, ndërsa 128 shtete votuan pro rezolutës, ose kundër SHBA-ve. Shqipëria u rreshtua në anën e atyre që nuk e mbështetën vendimin e Donald Trump.

Popullsia e përgjithshme e 128 shteteve të cilët kundërshtuan vendimin e SHBA-ve dhe votuan “pro” projekt-rezolutës së OKB-së, është 6 miliardë e 187 milionë. Ky numër përbën 82.5 për qind të numrit të popullsisë së përgjithshme të gjithë botës, i cili është 7.5 miliardë. Tetë shtetet, të cilët vepruan së bashku me Trumpin dhe votuan kundër rezolutës, me popullsi të përgjithshme prej 380 milionë banorësh, përbëjnë 5.1 për qind të popullsisë së përgjithshme të botës.

21 shtete të cilët nuk preferuan të marrin pjesë në votimin e AP-OKB, me gjithsej rreth 290 milionë banorë, përbëjnë 3.8 për qind të popullsisë së përgjithshme të botës.

Ndërkaq, popullsia e 35 shteteve të cilët abstenuan në votim, 650 milionë banorë, përbën 8.6 për qind të popullsisë botërore. Të paktën 8 nga çdo 10 njerëz në botë qëndruan kundër vendimit të SHBA-ve, i cili i dha një goditje të rëndë shpresave për paqe në Lindjen e Mesme”, raporton Anadolu Agency.