Bota Erdogan: I gatshëm të takohem me Mitsotakisin, nëse ai tregon “vullnet të...

Erdogan: I gatshëm të takohem me Mitsotakisin, nëse ai tregon “vullnet të mirë”

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha se ishte i gatshëm të takohej me kryeministrin grek Kiriakos Mitsotakis nëse ai tregon “vullnet të mirë” në krizën që ka shpërthyer midis dy vendeve mbi Mesdheun lindor.

Sipas AFP, deklarata e Erdogan vjen në një kohë kur tensionet midis dy vendeve janë në kulmin e tyre në lidhje me kërkimin e fushave të gazit në ujërat për të cilat po pretendojnë si Turqia dhe Greqia.

Mosmarrëveshja hyri në një fazë të re të premten kur ministria e jashtme në Ankara thirri ambasadorin grek në Turqi pasi gazeta greke Demokratia botoi një titull duke i thënë Erdoganit në turqisht se ai ishte “duke humbur”.

“Gazeta greke doli sot me një titull të shëmtuar që i referohej Presidentit Erdogan. Ne kemi ftuar ambasadorin grek” u, tha gazetarëve ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu.

Erdogan tha të premten më parë se ai nuk kishte “asnjë problem të takohej me kryeministrin grek Mitsotakis”.

“Por është e rëndësishme të dimë se për çfarë do të flasim dhe në çfarë mase”, shtoi ai, duke e kushtëzuar një takim të tillë me shfaqjen e “vullnetit të mirë” të Athinës.

Presidenti turk tha gjithashtu se kthimi të dielën i “Oruc Reis”, një anije kërkimore e dërguar nga Ankaraja në Mesdheun lindor, e cila ka nxitur tensionet me Greqinë, “do t’i jepte një shans diplomacisë”.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, i cili po viziton Pragën, tha se vendi i tij është gati për dialog me Turqinë nëse kjo e fundit “ndalet së provokuari në rajon”.

Ndërkohë, ditë më parë, kryeministri Rama bëri ndërmjetësin mes Turqisë dhe Greqisë. Pas një vizitë në fundjavë në rezidencën e Erdoganit në Marmaris, ai darkoi me Mitsotakisin, edhe për çështjet e hapura mes Tiranës dhe Athinës, por ku deklaroi se “Erdogan nuk është antigrek”.