Bota Erdogan: Kemi përjetuar shumë tërmete, por ne jemi popull që kemi ditur...

Erdogan: Kemi përjetuar shumë tërmete, por ne jemi popull që kemi ditur t’i kalojmë me durim

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan deklaroi se në të kaluarën kemi përjetuar shumë tërmete por ky popull ka ditur t’i kalojë me durim këto tërmete.

“Këto fatkeqësi për ne janë një sprovë e madhe. Ne jemi një popull që këto sprova i kemi kapërcyer me durim. Kemi përjetuar tërmetin në Bingol, në Van, në Simav, në Duzce, në Sakarya, në Bolu. Në të kaluarën ne kemi përjetuar shumë tërmete por ky popull ka ditur t’i kalojë me durim”, theksoi Erdoğan.

“Si shtet, si popull kemi bërë të pamundurën dhe shpresojmë se do të vazhdojmë ta bëjmë edhe pas kësaj”, deklaroi Erdogan.

“Punimet tona nën rrënoja do të vazhdojnë. Këto rrënoja do të hiqen, nëpërmjet Autoritetit Shtetëror të Zhvillimit Strehimor (TOKI) dhe në vend të rrënimeve nëpër fshatra dhe lagje do bëhen të gjitha ato që janë të nevojshme. Nuk do të lëmë askënd jashtë”, theksoi ai.

Më tej Erdogan shprehu ngushëllime për 22 personat që humbën jetën në këtë tërmet.

Kujtojmë se nga tërmeti me magnitudë 6,8 ballë që goditi mbrëmë pjesën lindore të Turqisë humbën jetën 22 persona ndërsa mbi 1 000 të tjerë janë plagosur.

Krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës kanë reaguar pas tërmetit të fuqishëm në Turqi duke shprehur ngushëllime dhe solidaritet me Turqinë dhe popullin turk.