Bota Erdogan thirrje turqëve në Gjermani: Mos votoni Merkel!

Erdogan thirrje turqëve në Gjermani: Mos votoni Merkel!

Presidenti turk, Recep Taip Erdogan është përfshirë tërthorazi në fushatën elektorale të Gjermanisë.

Në një deklaratë të bërë të premten, ai i cilëson dy partitë tradicionale gjermane, CDU-në e Angela Merkelit dhe SDP-në e Martin Schulz si “armike të Turqisë”.

“U bëj thirrje të gjithë bashkëkombasve të mi në Gjermani, kristian Demokratët, SDP, Partia e Gjelbër; që të gjithë janë armike të Turqisë. Mbështetni partitë politike që nuk janë armiqësore ndaj Turqisë”, u ka bërë thirrje ai të gjithë votuesve gjermanë me origjinë turke.

Sipas agjencisë “Anadolu”, Erdogan ka akuzuar Angela Merkel se shkeli premtimin për t’u hequr regjimin e vizave shtetasve turq dhe për bllokim të anëtarësimit të Ankarasë në Bashkimin Europian.

Tensionet mes Berlinit dhe Ankarasë janë përshkallëzuar ndjeshëm pas arrestimit të një aktivisteje dhe reportereje gjermane në Turqi. Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, anëtar i SPD-së tha se Turqia po u largohet vlerave europiane.

Po ashtu, kritikë ndaj Erdogan janë shfaqur edhe “Të gjelbërit”. Lideri i kësaj force, Cem Ozdemir, që është me origjinë turke deklaroi të njëjtën gjë me Gabriel dhe menjëherë Erdogan e cilësoi atë “njëfarësoj turk”.

Fajtorja e vetme për prishjen e marrëdhënieve, sipas Erdogan, është Gjermania.

“Turqia nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë. Nëse ka një përgjegjës për tensionet, ajo është vetëm Gjermania”, thotë ai.