Bota Erdogan: Turqia nuk është në gjendje të përballet me një valë të...

Erdogan: Turqia nuk është në gjendje të përballet me një valë të re refugjatësh

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, deklaroi dje se Turqia nuk do të jetë në gjendje të përballet me një valë të re të mundshme refugjatësh.

Duke folur në Konferencën e gjashtë ministrore të Procesit të Budapestit për Migracionin, që mbahet në Stamboll, presidenti Erdogan tha se “ndërtimi i mureve të larta me tela me gjemba nuk është aspak mënyra për të parandaluar migracionin e parregullt”.

“Ka rreth 260 milionë emigrantë, mbi 68 milionë të zhvendosur dhe më shumë se 25 milionë refugjatë në mbarë botën. Turqia ka shpenzuar mbi 37 miliardë dollarë burime të veta kombëtare duke strehuar refugjatë”, theksoi Erdogan, duke cituar shifrat e Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Në rrjedhën e tetë viteve, ne kemi pranuar rreth katër milionë njerëz, ndërkohë që disa vende që kanë mundësi më të mëdha ekonomike, “zihen me njëri-tjetrin” në mënyrë që të mos pranojnë 100-150 refugjatë”, tha Erdogan.

Ai tha se politikanët evropianë, veçanërisht partitë raciste, po përpiqen të vijnë në pushtet duke treguar armiqësi ndaj refugjatëve.