Sport Eriksen mbetet enigmë, vetëm 13 minuta në fushë dhe një goditje

Eriksen mbetet enigmë, vetëm 13 minuta në fushë dhe një goditje

Anti-Cristiano është akoma një pikëpyetje. Christian Eriksen ishte blerja cilësore e Interit, lojtari në lartësinë e CR7, për të vazhduar me Juventusin garën e titullit deri në fund të pranverës. Sidoqoftë, tani për tani, danezi vazhdon të mbledhë vetëm “thërrime” aktivizimesh. Edhe të dielën në mbrëmje, në “Olimpico”, ndaj skuadrës që e ndiqte hap pas hapi Interin, mesfushori i ardhur në merkaton e dimrit nuk pati ndikim. Danezi e nisi nga stoli dhe luajti vetëm 13 minuta. Dhe rezultati i tij pritej të ishte i dobët në kaq pak kohë në fushë. Ra në sy vetëm për gjuajtjen e fortë, që u prit fillimisht nga duart e Strakoshës, prej nga lindi goli i anuluar me të drejtë i Lautaros. Ka disa prekje të tjera të topit prej tij, por asgjë e paharrueshme. Me pak fjalë: shumë pak në fushë për të ndikuar.

Nga ana tjetër, Conte e kishte bërë të qartë edhe në prag të ndeshjes në fjalë: “Christian është duke u integruar mirë, por do të luajë si titullar kur ai ta konsiderojë të përshtatshme”. Me pak fjalë, kur danezi e bën me zemër, kokë dhe këmbë atë që kërkon Antonio, si në ndërtim, ashtu edhe “pas shpinës”. Duke marrë parasysh forcën fizike të mesfushës së Lazio-s, më mirë të mbështetesh te këmbët e Vecino dhe dinamizmi i Barella. Këmba e ëmbël e Eriksen duhet të presë për një shans tjetër.

Kështu mendoi edhe Conte. Fusha i dha të drejtë, jo vetëm se të besuarit e Inzaghi mbizotëruan mesfushën, por edhe ngaqë Christian nuk la asnjë shenjë në 13 minutat e fundit. Ish-ylli i Tottenham zbarkoi në Milano më 27 janar, i gatshëm të luante rolin e drejtuesit të mesfushës zikaltër, edhe për shkak të dëmtimeve, që e kishin prekur këtë repart në pjesën e parë të sezonit. Po ashtu, u mor parasysh në këtë blerje cilësia dhe përvoja e tij për të luajtur ndeshje me një koeficient të lartë vështirësie dhe rëndësie. Këto “kredenciale” janë ende brenda “valixheve” të Eriksen. E cila, tani për tani mbetet e mbyllur në Milano.

“Tashmë është Eriksen i vërtetë, – tha Beppe Marotta, para ndeshjes. – I duhej kjo periudhë aklimatizimi. I takon trajnerit Conte që të zgjedhë titullarët dhe ata që hidhen në fushë gjatë lojës, por Eriksen tashmë ka hyrë shumë mirë në ritmin e grupit, ku aderon”. Po, Christian ka hyrë në grupin zikaltër, por të mos e shohësh atë në fushë nga fillimi është akoma befasuese. Nuk ndodhi në derbi, nuk ndodhi në “Coppa Italia” me Napolin, asgjë e tillë edhe në “Olimpico”. E enjtja, mbase, do të jetë një mundësi e mirë për të provuar përsëri.

Interi do të luajë në Razgrad të Bullgarisë, në 1/8 finale të “Europa League”, kundër Ludogorets. Dhe në stadiumin e vogël prej 10.000 vendesh, Eriksen mund të jetë në gjendje t’i shërbejë Interit që nga minuta e parë. Për dikë që luajti në finalen e Champions-it më 1 qershor të vitit të kaluar, mund të jetë rifillimi i ri. Si interist…