Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me faktin që në dosjen e SPAK, kryebashkiaku Erion Veliaj, figuronte si një person ‘i dënuar’.
Përmes një njoftimi, Drejtoria e Burgjeve shkruan se pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ai rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie.
Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se, në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me shkresën nr. 2215/prot., datë 12.02.2025, ka përcjellë vërtetimin e gjendjes gjyqësore për shtetasin Erion Veliaj., i biri i L. dhe Sh., lindur më 17.12.1979. Pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ai rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie. Sqarojmë se, në rastet kur kërkohet vërtetimi me historik, përfshihen edhe të dhënat mbi vendimet e mëparshme, përfshirë pafajësitë apo vendimet e rehabilitimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.