Politika Escobar: SHBA kërkon që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së

Escobar: SHBA kërkon që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar deklaroi se SHBA-ja kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Europian.

”Shumë e shikojnë Ballkanin Perëndimor përmes prizmit të viteve ’90, ndërsa Uashingtoni e bën këtë përmes prizmit të shekullit XXI”, theksoi ai.

“Një nga sfidat dhe zhgënjimet më të mëdha është se politikanët vendas nuk kanë evoluar në të menduarit e tyre që nga vitet 1990″, deklaroi ai përmes një video-mesazhi në Forumin për Sigurinë, që u zhvillua në Beograd.

Escobar theksoi se ”dëshira e SHBA është që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Europian”.

“Këto janë vende evropiane, disa prej të cilave kanë bërë përparime të jashtëzakonshme dhe anëtarësimi i tyre në BE nuk do të përfaqësonte një rrezik për anëtarët ekzistues të Bashkimit, por një mundësi e madhe”, theksoi Escobar.

Sipas Escobar, administrata amerikane ”dëshiron të zgjidhë çështjet e pazgjidhura aktualisht në Ballkan”, duke shtuar se ”Ballkani Perëndimor ka potencial të madh për rritje të vazhdueshme ekonomike”.

”Ekonomia e Serbisë është rritur shtatëfish që nga viti 2000 dhe ekonomitë e Malit të Zi dhe Kosovës kanë përjetuar rritje me përqindje dyshifrore në kushtet e pandemisë së koronavirusit”, theksoi ai.

”Ne mirëpresim integrimin ekonomik të vendeve të rajonit. Ballkanasit janë në gjendje të shkojë kudo dhe ne duam që ata të jenë të suksesshëm edhe në Ballkan”, përfundoi Escobar.