Aktualitet Eugena Tomini: Dy javët e para të prillit do jenë vendimtare

Eugena Tomini: Dy javët e para të prillit do jenë vendimtare

Në një lidhje Skype në programin “Historia ime”, në TV Klan ishte shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini.

Në lidhje me ecurinë dhe shkallën e përhapjes së virusit në vendin tonë, për muajin Prill, Tomini u shpreh se deri në javën e dytë të Prillit, pritet një trend i lartë i numrit të rasteve pozitive dhe më pas ndoshta do fillojë një tendencë në ulje.

Mirela Milori: Është Prilli muaji i testit, nëse kalojmë Prillin me këto shifra mendojmë se e kemi fituar betejën e pranverës me virusin, se nuk e dimë në vjeshtë çfarë ndodh?

Eugena Tomini: Sigurisht që deri në javën e dytë të Prillit, do jemi në pritje të një trendi të lartë të numrit të rasteve pozitive dhe më pas ndoshta do fillojë një tendencë në ulje, po është gjithçka në pritje. Periudha e inkubacionit ndikon shumë negativisht sepse është një periudhë e gjatë dhe ju e keni thënë dhe ne e kemi mbështetur të gjithë bashkë dhe kjo ka negativizmat e veta. Por sigurisht edhe java e tretë e Prillit do shënojë ndoshta dhe një trend drejt zbritjes, por duhet parë trendi ngjitës fillimisht, që besoj dy javët e para të Prillit do jenë vendimtare. Më pas do shohim tendencën në ulje, jo vetëm prej stinës, por edhe prej faktit të përshkallëzimit apo të mbajtjes së masave të përshkallëzuara të distancimit social. Sigurisht edhe monitorimi gjatë stinës së verës do vazhdojë po i njëjtë, virusi nuk mund të zhduket sa hapim dhe mbyllim sytë.