Ekonomi Euro forcohet me dollarin, por jo me lekun. Agjentët: Përse po ndodh

Euro forcohet me dollarin, por jo me lekun. Agjentët: Përse po ndodh

Ndërkohë që kursi i dollarit amerikan me lekun ka prekur nivelet më të ulëta të gjashtë viteve të fundit, kursi i euros paraqitet i qëndrueshëm.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të mërkurën dollari amerikan u këmbye me 102.82 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.6 pikë krahasuar me ditën e martë. Ndërkohë, euro u këmbye sot me 123.88 lekë, në rritje shumë të lehtë krahasuar me ditën e djeshme. Në 12 muajt e fundit, dollari është nënçmuar me 7.7%, ndërsa euro ka shënuar një mbiçmim të lehtë, me 0.8%.

Rënia e dollarit në kursin e këmbimit me lekun është reflektim i kursit të monedhës së gjelbër në tregjet ndërkombëtare dhe kryesisht zhvlerësimit ndaj euros. Aktualisht, dollari këmbehet me 0.83 euro, niveli më i ulët që prej fillimit të vitit 2018. Ndërkohë që kursi i dollarit me euron reflektohet pothuajse në përpjesëtim të drejtë edhe me lekun, e njëjta gjë nuk ndodh me kursin euro-lek, që përgjithësisht përcaktohet nga raportet e kërkesës dhe ofertës në tregun e brendshëm dhe nuk ndikohet shumë nga konjuktura e tregjeve ndërkombëtare.

Sipas agjentëve të tregut valutor, arsyeja kryesore pse euro nuk po rritet është kërkesa e dobët për të në tregun e brendshëm. Kambistët raportojnë shitje të pakta të euros, të lidhura me rënien e konsumit në ekonominë shqiptare. Nga ana tjetër, sipas tyre, oferta e euros në treg është në nivele të qëndrueshme.

Të dhënat e bilancit të pagesave janë të disponueshme deri në mesin e vitit, ndërsa për informacione më të reja për flukset hyrëse dhe dalëse të valutës në ekonomi mund t’i referohemi vetëm bilancit të tregtisë së jashtme. Sipas Instat, në muajit tetor deficiti tregtar i vendit ishte rreth 33 miliardë lekë, në rritje me katër miliardë lekë krahasuar me shtatorin dhe me rreth 1 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përmirësimi gradual i kërkesës së brendshme dhe konsumit në gjysmën e dytë të vitit i kanë rritur importet dhe deficitin tregtar. Megjithëse i është kthyer rritjes, deficiti tregtar progresiv i 10-mujorit është 7.3% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pavarësisht se rritja e importeve e ka kthyer zgjerimin e deficitit tregtar, me sa duket, kjo nuk po ushtron presione domethënëse mbi kursin e këmbimit të euros. Tradicionalisht, Shqipëria e ka kompensuar pjesërisht deficitin e lartë në mallra me një bilanc pozitiv të turizmit dhe shërbimeve, me të ardhurat nga remitancat dhe nga investimet e huaja direkte. Eurobondi i muajit qershor gjithashtu mund të jetë qenë burim i ofertës për valutë gjatë muajve të fundit. Ai krijoi një tepricë të lartë likuiditeti në llogaritë e qeverisë dhe u përdor për financimin e deficit gjatë muajve në vazhdim. Një tjetër faktor me ndikim janë të ardhurat valutore nga aktivitetet e jashtëligjshme, që janë të vështira për t’u matur. Gjithë faktorët e mësipërm kanë bërë që kursi i këmbimit të euros për momentin t’i rezistojë përmirësimit të konsumit dhe rritjes së importeve./Monitor