Ekonomi Euro në nivelin më të ulët që nga fundi i verës, por...

Euro në nivelin më të ulët që nga fundi i verës, por nuk ka më efekt hashashi

Euro ka shënuar nivelin më të ulët të këmbimit që nga fillimi i shtatorit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e përbashkët e nisi javë e zhvlerësuar përkundrejt lekut, duke u këmbyer me 133.27 lekë.

Zhvlerësimi i euros në treg ishte i pritshëm për shkak të efekteve sezonale, të cilat sipas ekspertëve të këmbimit valutor këtë vit kanë filluar më herët. Monedha e përbashkët pritet të jetë e dobët deri për festa, ndërsa ekspertët thonë se mund të rimëkëmbë pozitat vetëm pas përfundimit të tyre.

Fundi i vitit njihet për zhvlerësimin e valutës. Në ndryshim nga vitet e tjera, aktivitetet kanë filluar që të organizohen më shpejt, kjo ka nxitur dhe fluksin e emigrantëve dhe të turistëve gjithashtu.

Nënçmimi i euros është stimuluar edhe prej turistëve, – thonë ekspertët për Monitor, të cilët pohojnë se është rritur qarkullimi i parasë.

Qarkullimi i parasë është nxitur kryesisht prej uljeve që janë bërë në sektorin e tregtisë me pakicë, të cilët për të tërhequr blerësit kanë rritur ofertat përpara festave.

Një tjetër argument që japin ekspertët është edhe fakti se tani, tregtarët me pakicë, për t’i paraprirë kërkesave dhe fluksit të shtuar të punës gjatë festave, porositë i kryejnë përpara dhjetorit. Blerjet nga bizneset në fillim të dhjetorit ruanin balancën me rritjen e qarkullimit të parasë në vend dhe zhvlerësimi i monedhës së përbashkët nga efektet sezonale fillonin pak më vonë.

Prej fillim të dhjetori deri sot, euro është zhvlerësuar me 0.3 pikë përqindje. Në të njëjtën periudhë një vit më parë euro ishte në pikiatë, duke pësuar një zhvlerësim me 1 pikë përqindje (shiko grafikun krahasues me dy vitet). Luhatjet e euros në të njëjtën periudhë një vit më parë ishin më të mëdha duke qenë se monedha e përbashkët e mbylli 2016-ën në nivelin e 135 lekëve dhe e çeli duke u këmbyer me 137 lekë në datën 4 janar. Gjatë vitit të shkuar, euro nisi të zhvlerësohej në tregun vendas me shpejtësi, gjë që u argumentua nga ekspertët me ofertën shumë të lartë të valutës në vend. Sipas tyre, përpos efekteve që jepnin investimet e huaja dhe turistët, ndikim në zhvlerësimin e valutës patën dhe aktivitetet e jashtëligjshme. Prej shtatorit të një vit deri në fund të vitit, euro ra më shumë se 3 lekë, por nivelin më të ulët e shënoi gjatë 2017-s. Euro kapi nivelin më të ulët të nëntë viteve në 27 qershor të këtij viti (dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme), kur u këmbye me 131.9 lekë. Një ndër arsyet e këtij zhvlerësimi sipas ekspertëve të kursit ishin edhe shpenzimet e kryera gjatë fushatës zgjedhore, të cilat si në asnjë vit tjetër u kryen në valutë.

Edhe dollari amerikan vijon të mbetet i nënçmuar në vend në krahasim me çeljen e këtij viti, kur këmbehej me 129.75 lekë. Monedha e gjelbër ka reflektuar në tregun vendas nënçmimin që ka pësuar në tregjet ndërkombëtare. Sot këmbehet sipas BSH me 113.07 lekë. /Monitor/