Ekonomi Euro nis rimëkëmbjen, rritet me 0.90 lekë krahasuar me një javë më...

Euro nis rimëkëmbjen, rritet me 0.90 lekë krahasuar me një javë më parë

Monedha europiane ka nisur të rimëkëmbet. Sipas Bankës së Shqipërisë, euro ka arritur në nivelin e 111.3 lekëve, duke u rritur me 0.90 lekë krahasuar me një javë më parë. Ndërsa krahasuar me ditën e premte, Euro është rritur me 0.49 Lekë.

Javën që kaloi Euro shënoi rënien më drastike të saj, duke u këmbyer me 110.4 Lekë. Por tashmë ka nisur një trajektore të lehtë rritje. Për ekspertët e ekonomisë, është herët për të thënë nëse do të ketë një rritje të mëtejshme të monedhës europiane në raport me Lekun.

“Ende jemi në një atmosferë të tillë që lëvizjet janë shumë të vogla, një luhatje që më së shumti ndikohet nga momenti, sesa shpresë afatgjatë që euro të ndryshojë kah dhe të vazhdojë të ndryshohet”, tha eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj.

Një faktor i cili pritet të ndikojë në stabilitetin e monedhës europiane, është sezoni turistik dhe numri i shqiptarëve që do  të shpenzojnë Euro jashtë vendit.

“Nëse do stabilizohet do shihet se sa shqiptarë do lëvizin jashtë dhe të shpenzojnë jashtë për të balancuar Euron që ndodhet në tregun shqiptar”.

Prej muajsh tregu shqiptar ka tejngopje me monedhën Euro, duke bërë që Leku të ketë epërsi ndaj monedhës europiane./Tv Klan