Ekonomi Euro prek nivelin më të ulët, dollari forcon pozitat

Euro prek nivelin më të ulët, dollari forcon pozitat

Në tregun e këmbimit valutor vendas, euro ka prekur sot nivelin më të ulët kundrejt lekut ndërsa monedha e gjelbër amerikane ka forcuar pozitat.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë euro këmbehet të enjten me 133.20 lekë ose 0.03 lekë më pak se një ditë më parë dhe dollari këmbehet 108.81 lekë ose 0.94 lekë më shumë se ditën e mërkurë.

Ekspertët bankar shprehen se, euro ka reflektuar zhvlerësimin në tregjet ndërkombëtare.

Monedha europiane ka humbur pikë kundrejt dollarit amerikan, duke këmbyer me 1.2276 euro për dollarë amerikanë, niveli më i ulët ky gjatë dy javëve të fundit.

Sipas tyre, kërkesë oferta në tregun vendas orienton pozitat e këmbimit, por procesi i deeuroizimit që do të ndërmarrë Banka e Shqipërisë do të çojë në uljen e kërkesës për valutë dhe rrjedhimisht të vlerës së këmbimit.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kursi i këmbimit rezultoi relativisht i qëndrueshëm gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017, por mbiçmimi i tij erdhi në rënie krahasuar me nivelet e larta të regjistruara në tremujorin e tretë.