Ekonomi Euro uli kursimet e shqiptarëve. 16 miliardë lekë më pak nga normat...

Euro uli kursimet e shqiptarëve. 16 miliardë lekë më pak nga normat e ulëta të interesit

Pasuria financiare e familjeve shqiptare u ul me 16 miliardë lekë vitin e kaluar e dëmtuar nga zhvlerësimi i euros, normat e ulëta të interesit, por edhe ngadalësimi i ritmit të të ardhurave.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar vlera e aseteve financiare të zotëruara nga shqiptarët u ul në 1 mijë e 123 miliardë lekë nga 1 mijë e 139 miliardë që ishte në dhjetor të 2017-s. Kjo shifër nuk përfshin depozitat, llogaritë apo investimet e bizneseve.

Por, ku i ruajnë shqiptarët paratë e tyre? Sipas BSH, forma më e preferuar janë depozitat bankare. Familjet shqiptare kanë investuar 463 miliardë lekë depozita në monedhën kombëtare dhe 464 miliardë lekë të tjera depozita në valutë, kryesisht në euro.

Pas depozitave, instrumenti më i preferuar janë letrat me vlerë të qeverisë ku individët kanë investuar mbi 136 miliardë lekë, ndërsa në vendin e tretë renditen fondet e investimeve me afro 57 miliardë lekë.

Në gjysmën e parë të dekadës vlera e aseteve financiare të zotëruara nga familjet u rrit me 30 për qind. Por pas vitit 2015 kjo tendencë u ndal dhe pasuria financiare e familjeve ka mbetur e pandryshuar. Sipas Bankës së Shqipërisë, arsyet janë disa, duke filluar nga kursi i këmbimit. Zhvlerësimi i euros ndaj lekut ka ulur vlerën e depoztitave në monedhën europiane, të cilat tani vlejnë më më pak nëse konvertohen në lekë.

Por, përveç efektit gërryes të kursit të këmbimit, një tjetër arsye se pse pasuria financiare e shqiptarëve është në stanjacion lidhet me normat e ulëta të interesit. Vitet e fundit normat e interesit për depozitat dhe letrat me vlerë kanë rënë ndjeshëm duke i bëra ato më pak fitimprurëse dhe duke i nxitur shumë familje që t’i ruajnë kursimet jashtë sistemit financiar.