Bota Europa, drejt “ferrit të nxehtësisë” javën e ardhshme

Europa, drejt “ferrit të nxehtësisë” javën e ardhshme

Pas një periudhe të shkurtër pushimi nga vala e nxehtësisë që kaploi Europën muajin e kaluar, parashikimet tregojnë se temperaturat kanë  gjasa të prekin kulmin edhe një herë gjatë javës tjetër. Ato pritet të përfshijnë shtetet si Franca, Gjermania, Austria, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Holanda Spanja dhe Portugalia.

Agjencia Kombëtare e Motit në Francë, Météo France, tha të mërkurën se vendi do të shkojë drejt një vale të dytë të nxehtësisë, por parashikimet ende nuk ishin definitive.

Megjithëse Franca është vendi i vetëm që ka njoftuar zyrtarisht kushtet e motit saharian, parashikimet nga ekspertët dhe agjencitë e tjera të motit tregojnë se Gjermania, Austria, Britania e Madhe, Norvegjia, Holanda Spanja, Portugalia gjithashtu do të përjetojnë temperatura jashtëzakonisht të larta.

Në fund të qershorit, moti jashtëzakonisht i nxehtë shkaktoi disa pasoja njerëzore. Franca kaloi për herë të parë mbi 45 gradë. Gjermania, Austria, Republika Çeke, Hungaria, Lituania, Polonia, Sllovakia dhe Turqia regjistruan temperaturat më të larta ndonjëherë për muajin qershor.

Shkencëtarët thonë se korriku ka gjasa të mos jetë ndryshe. “Qershori ishte më i fuqishmi, dhe korriku tani është duke u shkuar drejt një të nxehti rekord”, tha për Euroneës Michael Mann, shkencëtar i klimës.

Ekspertët paralajmërojnë se kushtet e nxehta të motit mund të vazhdojnë gjatë gjithë verës. “Parashikimet afatgjata tani duket se tregojnë se Europa do të përjetojë nxehtësi ekstreme për pjesën më të madhe të pjesës së mbetur të kësaj vere”, tha Mann.

Fenomeni përgjegjës për ngrohjen rekord në Evropë dhe rajone të tjera rreth hemisferës veriore, duke përfshirë pjesë të Amerikës së Veriut dhe Azisë, quhet rezonancë e valëve planetare.